Opinonisti Lirim Gashi përmes një postimi në Facebook ka shkruar në lidhje me situatën që është krijuar nga partitë politike në prag të zgjedhjeve.
Gashi përmend disa nga arsyet që Kurti do të fitojë në këto zgjedhje, përcjell “Bota sot”.
Ai e fillon në mënyrë kronologjike të tregoj arsyet pse qytetarët nuk do të votojnë liderët që e mëparshëm, duke theksuar që të njejtit e shndërruan shtetin në një lopë për qumësht dhe në mish për qebapa sipas oreksit të tyre të pangopur.
Duke vazhduar shpjegimin e tij, opinonisti përmend kohën e pas luftës duke u shprehur në detaje se si populli ka humbur me udhëheqjen e opozitës së tanishme.
Derisa flet për Kurtin, ai thotë që ai erdhi jo si politikan që kërkon pushtet, por si një udhëheqës që kërkon drejtësi duke mos bërë premtime boshe dhe erdhi si një njeri i popullit, një njeri që jeton dhe punon për të njëjtat ideale si njerëzit që e votojnë.
Lexoni shkrimin e plotë të opinonistit Lirim Gashi:
Një analizë argumentuese mbi të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës
Albin Kurti do të fitojë, sepse populli i tij tek ai sheh dinjitetin e rikthyer, atë dinjitet që iu rrëmbye nga përfaqësuesit e tij të mëparshëm politikë në institucionet shtetërore, të cilët e shndërruan shtetin në një lopë për qumësht dhe në mish për qebapa sipas oreksit të tyre të pangopur.
Pse?
Sepse ata hynin në politikë në mëngjes pa brekë dhe ktheheshin në mesnatë në shtëpi si milionerë. Dhe imagjinoni, ata e arritën këtë si deputetë të vendit më të varfër në Evropë, vetëm me një pagë mujore prej 500 eurosh.
Kush tjetër në Evropë mund të mburret me këtë përveç tyre?
Një politikan lufte, ekstremisht i korruptuar, i cili pas luftës u bë pjesë e udhëheqjes së një bande ekonomike që quhej pa fije turpi parti, guxoi të thoshte një herë: "Sot, çdo qytetar i vendit më të varfër në Evropë ka një buxhet familjar prej 2 deri në 3 milionë euro."
Sa i shkëputur nga realiteti duhet të jetë një njeri për të nxjerrë nga goja e tij një deklaratë kaq idiotike dhe të neveritshme ?
Sa pa ndjenja, pa dinjitet, pa zemër dhe pa tru duhet të jetë dikush për të folur kështu?
A e kuptoni tashmë se si do ta trajtonin këta njerëz popullin dhe shtetin e tyre, nëse do ta kishin çliruar Kosovën pa ndihmën e aeroplanëve të NATO-s?
A e kuptoni tani pse ata i ekzagjeronin kaq shumë trimëritë e tyre, pa përmendur kurrë fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit e masakruar të çdo moshe dhe pa përmendur kurrë mijëra gra të përdhunuara, që ishin viktimat më të mëdha të luftës?
Sepse sa më shumë që ata ekzagjeronin trimëritë e tyre, aq më shumë ju dukej se kishin të drejtë të vidhnin gjithçka që shihnin me sytë e tyre, pa frikë nga përgjegjësia dhe llogaridhënia përpara Zotit, popullit apo ligjit.
E nga kush duhej të kishin frikë këta njerëz në atë kohë ?
Nga një popull i traumatizuar, i varfër dhe i lodhur nga jeta, që pas luftës nuk e dinte ku e kishte kokën e ku këmbët?
Nga një administratë e UNMIK-ut, të cilës nuk i interesonte aspak kush çfarë bënte, mjaftonte që rrogat e mëdha të punonjësve të saj të paguheshin nga taksapaguesit e vendeve të tyre?
Nga një prokurori dhe një gjyqësor që e mbanin nën kthetrat e tyre si skifterët kufomat e kafshëve ?
A e kuptoni tashmë pse ata ishin kaq dorëshlirë me territorin e shtetit të tyre dhe pse e copëtuan atë në emër të një "rajonalizimi human", shumë përpara se Kosova të shpallte pavarësinë e saj?
A e kuptoni tani pse ata i dhanë pakicës serbe, që përbënte vetëm 3% të popullsisë së përgjithshme, 25% të territorit të shtetit të tyre shumë përpara se të bëhej i njohur Plani Ahtisaari?
Me çfarë merite dhe të drejte mori pakica serbe kaq shumë territor dhe të drejta?
Sepse nxori eshtrat e mbretit Lazar dhe i solli ato në çdo cep të ish-Jugosllavisë për të gënjyer për vuajtjet e saj nën dhunën e fqinjëve të tij shqiptarë?
Sepse krijoi heroin e saj më të madh kombëtar të quajtur Millosheviç, i cili më vonë u shndërrua në përbindëshin më të madh për fëmijët shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë?
A e kuptoni tashmë pse ata u nënshtruan dhe u shantazhuan kaq lehtë dhe pse hoqën dorë kaq lehtë nga dinjiteti dhe argumentet e tyre shumë përpara se të fillonin bisedimet me delegacionin serb në Bruksel?
Sepse ata ishin jo vetëm të paaftë dhe të paarsimuar, por edhe të korruptuar, të kriminalizuar, të nënshtruar dhe të shantazhuar.
A e kuptoni tashmë pse ata firmosën gjithçka që delegacioni serb u vendosi mbi tryezë?
Sepse ata u udhëhoqën nga njerëz, familjet e të cilëve nuk e patën humbur as një qime floku nga policia dhe ushtria serbe para dhe gjatë luftës.
Sepse ata u udhëhoqën nga njerëz që si feniksi nga hiri u bënë drejtorë dhe komisarë politikë të UÇK-së, pa ditur askush asgjë për ta.
Kosova, vendi i sakrificave dhe heroizmit të pashembullt, mbijetoi nën peshën e tradhtisë politike dhe mungesës së ndërgjegjes kombëtare të atyre që pretendonin ta drejtonin. Populli i saj, i mbuluar me gjak, i masakruar dhe i përdhunuar, u zgjua pas luftës dhe kuptoi se ëndrra e lirisë ishte kthyer në një makth korrupsioni dhe abuzimi.
Në ato vite të pasluftës, kur duhej të rindërtohej shpresa dhe të forcohej dinjiteti, udhëheqësit e asaj kohe treguan fytyrën e tyre të vërtetë: një klasë politike që e trajtoi shtetin si një plaçkë lufte dhe si një tokë pa Zot.
Ata ndanë mes tyre pasuri, tokë, privilegje dhe të drejta pa asnjë ndjenjë përgjegjësie.
Si është e mundur që dikush me një rrogë prej 500 eurosh të bëhet milioner brenda natës?
Ky është një krim kundër logjikës, një fyerje për drejtësinë dhe një tallje me çdo qytetar që luftoi për liri.
Në këtë realitet të errët, Albin Kurti doli si një zë tjetër. Ai erdhi jo si politikan që kërkon pushtet, por si një udhëheqës që kërkon drejtësi. Ai nuk bëri premtime boshe, nuk përdori flamurin e luftës për të mbuluar krimet e korrupsionit. Ai erdhi si një njeri i popullit, një njeri që jeton dhe punon për të njëjtat ideale si njerëzit që e votojnë.
Kurti nuk u pasurua. Ai nuk ndau tokë dhe pasuri, nuk pranoi të nënshkruante marrëveshje që dëmtonin sovranitetin. Përkundrazi, ai ishte në ballë të luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit të pushtetit.
Prandaj njerëzit e duan: sepse ai nuk është si ata. Kosova ka nevojë për udhëheqës që kuptojnë sa shumë gjak është derdhur për këtë tokë. Ajo ka nevojë për një qeveri që shikon përtej interesave personale dhe që ka në fokus të ardhmen e fëmijëve të saj, dinjitetin e burrave dhe grave të saj dhe ëndrrën për një shtet të drejtë.
Albin Kurti përfaqëson këtë të ardhme. Ai është simbol i asaj që Kosova mund të jetë: një vend i drejtë, i pastër dhe krenar. Nëse populli i Kosovës u ngrit nga hiri i luftës, tani është koha të ngrihet nga hiri i korrupsionit dhe tradhtisë. Albin Kurti nuk është një shpëtimtar, por është një pishtar shprese. Dhe kjo është ajo që i duhet çdo populli: Shpresa për një të nesërme më të mirë, për një të ardhme ku dinjiteti kombëtar nuk është më i shitshëm.