Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Besian Mustafa u shpreh se asnjë mashtrim i Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund ta mbulojë dështimin e kësaj partie për këto katër vite qeverisje.
Mustafa në një konferencë për media teksa ka shpalosur aktivitetet e fushatës zgjedhore, u shpreh se kosovarët meritojnë lidership në zgjidhje reale e jo në shifra të rreme të lojërave shpërblyese në internet.
Mustafa: Kosova nuk i meriton këto lojëra të VV-së
“Asnjë mashtrim i LVV-së nuk mund të mbuloj dot dështimin e këtyre katër viteve të fundit, kosovarët meritojnë lidership që fokusohet në zgjidhje reale e jo në shifra të rreme të lojërave shpërblyese në internet. E ardhmja e Kosovës është shumë e rëndësishme dhe nuk meriton këto lojëra të VV-së. Ndryshimi po vjen në Kosovë“, u shpreh ai.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa tha se Lëvizja Vetëvendosje në mungesë të rezultateve po ofendon partitë opozitare.
Mustafa: Partia në pushtet në mungesë të rezultateve po ofendon partitë opozitare
“Nuk do të komentoj vendimet e organeve të pavarura në Republikën e Kosovës sipas rendit kushtetues gjitha ato që ne mendojmë që janë të padrejta i kemi bërë ankimimet tona në PZAP, ndërsa kur mendojmë që vendimet e PZAP-së, janë të padrejta ankohemi në Gjykatës Supreme siç kemi vepruar. …ajo shpërfaq panikun e thellë të kësaj partie në pushtet e cila për katër vite nuk ka arritur të përfundoj asnjë punë të vetme, sepse në të kundërtën do të fliste për to dhe do të kishte guximin të përballej në studio televizive…Më mungesë të këtyre rezultateve dhe në mungesë të besimit nga qytetarët për të ofruar diçka për të ardhmen sepse qytetarët i kanë parë dhe i kanë vlerësuar për këto katër vite që s’kanë punuar asgjë janë bindur që nuk do të punojnë asgjë të aftë ..partia në pushtet ka vendosur në mungesë të çdo alternative tjetër që të përfundoj duke ofenduar partitë opozitare, me theks të veçantë ndaj LDK-së”, theksoi Mustafa.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa tha se nuk ka informacion nëse është ftuar ndonjë zyrtarë i kësaj partie për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Mustafa: Nuk kam ndonjë informacion
“Deri më tani nuk kam ndonjë informacion”, theksoi Mustafa.
Më 11 janar është hapur zyrtarisht fushata për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, ku për legjislativin e ri do të garojnë gjithsej 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja.
Numri i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës është 2 milionë e 75 mijë e 868. Për votim jashtë vendit janë regjistruar 104.924, prej tyre 20.399 janë regjistruar për votim fizik në përfaqësitë diplomatike, ndërsa të tjerët mund të votojnë me postë në 19 shtete.
Heshtja zgjedhore këtë vit, pas ndryshimeve ligjore, do të jetë më ndryshe se në zgjedhjet e kaluara. Ajo do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit – do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit më 9 shkurt në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta qe nga shpallja e pavarësisë, pasi deri më tani janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme