Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e prerë ndaj zgjedhjes jo legjitime të kryetarit të ri të Këshillit të Pavarur të Mediave, një veprim që sipas kësaj partie “shënon një tentativë të hapur të regjimit Albin Kurti për të kapur institucionet e pavarura të mediave”.
"Kjo lëvizje e orkestruar përfaqëson një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe pluralizmit të informacionit në Kosovë. Ndërhyrja kaq e ashpër e pushtetit në një institucion të pavarur, pikërisht në vlugun e fushatës elektorale, s'ka si të kuptohet ndryshe përpos si përpjekje për kontroll të mediave për qëllime elektorale", thuhet në reagim.
AAK konsideron se çdo përpjekje për të politizuar dhe kontrolluar institucionet e pavarura të mediave do të përballet me reagimin tonë të vendosur.
“Liria e mediave është themeli i demokracisë sonë dhe nuk do të lejojmë që ajo të bëhet pre e ambicieve autokratike të regjimit aktual”, thekson AAK.
AAK paralajmëron se do të përdorë të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të kundërshtuar këtë vendim të paligjshëm dhe për të mbrojtur pavarësinë e mediave në Kosovë.
Kujtojmë, me katër vota për, Besnik Berisha është zgjedhur kryetar i ri i KPM-së, pas propozimit të disa nga anëtarët në këtë institucion që kryetari të zgjidhet sot, pasi mandati i Jeton Mehmeti përfundon më 21 janar.
Këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias Flutura Kusari, e quajti kompletim të kapjes së KPM-së emërimin e Berishës, ndërsa AGK-ja shprehu shqetësim me procesin e zgjedhjes së tij.
Anëtarët e KPM-së emërohen nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa kryetari dhe nënkryetari zgjidhen me votat e fshehta të anëtarëve të KPM-së.
Për emërimin e Berishës, anëtarët e komisionit i futën dy pika jashtë rendit të ditës plotësim-ndryshimin e rregullores së punës dhe garantimin e vazhdimit të punës së KPM-së përmes zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarit.
Futja në rend dite e këtyre pikave u kundërshtua nga Jeton Mehmeti, por ato kaluan me votat e anëtarëve të tjerë.
Paragrafi i parë i nenit 3 të rregullores së KPM-së parasheh që kryetari zgjidhet në mbledhjen e parë pas mungesës së tij, përfundimi i mandatit, shkarkimi, me shumicën e thjeshtë të votave nëse në mbledhje janë të pranishëm të paktën dy të tretat e anëtarëve.
Ky paragraf u anashkalua dhe u thirr paragrafi i dytë, e cila u miratua sot, që thotë se përjashtimisht nga paragrafi i parë kryetari mund të zgjidhet brenda një muaji para skadimit të mandatit, për t’u siguruar që KPM të mos mbetet pa kryetar.