Kosovë, reagime rreth ndryshimeve në udhëheqjen e Komisionit të Pavarur për Media

Aktuale

Kosovë, reagime rreth ndryshimeve në udhëheqjen e Komisionit të Pavarur për Media

Më: 17 janar 2025 Në ora: 20:44
KPM

Në Kosovë, shoqata e gazetarëve dhe përfaqësues të shoqërisë civile reaguan me shqetësim të premten lidhur me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të Komisionit të Pavarur për Media, i cili është përgjegjës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e frekuencave të transmetimit në Kosovë.

Ky komision lëshon licenca për transmetuesit publik e privat si dhe përcakton dhe rregullon të drejtat dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.

Pasditën e së premtes Komisioni i Pavarur për Media zgjodhi Besnik Berishën kryetar të ri, pak ditë para skadimit të mandatit të kryetarit të deritashëm Jeton Mehmeti.

Votimit i parapriu një ndryhsim i rregullores së punës, me arsyetimin se Komisioni i Pavarur për Media do të mbetët vetëm me tre anëtarë nga shtatë sa duhet të ketë, pasi dy prej tyre u përfundon mandati në fillim të javës së ardhshme dhe ky komision do të mbetët pa udhëheqës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se e ka ndjekur me shqetësim mbledhjen e KPM-së dhe zgjedhja e kryetarit të ri, “ngre pikëpyetje ligjore për mënyrën e ndryshimit të Rregullores së KPM-së, e cila parasheh që kryetari i ri zgjidhet në mbledhjen e parë pasi t’i ketë skaduar mandati ose të jetë shkarkuar kryetari aktual”. Në reagim thuhet se ky votim është “përpjekje e hapur për politizimin dhe instrumentalizimin e KPM-së për interesa të partisë në pushtet, duke u bazuar në qëndrimet publike të nismëtarëve për ndryshimet e sotme”.

Organizata joqeveritare “Lëvizja FOL” dënoi ashpër siç tha, veprimet e motivuara politike për ndërhyrje në pavarësinë e institucioneve shtetërore. Kjo organizatë tha se ndryshimet aktuale në Komisionin e Pavarur për Media janë në kundërshtim me procedurat ligjore, duke krijuar një precedent të rrezikshëm që synon kapjen politike të institucioneve të pavarura.

“Çdo përpjekje për të politizuar KPM-në është një sulm jo vetëm ndaj këtij institucioni, por edhe ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar lirshëm dhe në mënyrë të paanshme. Kjo cenon lirinë e shprehjes dhe krijon një atmosferë frike dhe autocensure në sektorin medial, duke dëmtuar seriozisht besimin e publikut në integritetin e mediave dhe në proceset demokratike”, thuhet në reagimin e Lëvizjes FOL, në të cilun theksohet se çdo përpjekje për ta dobësuar mediat e lira, duhet të trajtohet si një kërcënim serioz ndaj vetë të ardhmes demokratike të vendit.

Flutura Kusari, këshilltare ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, shkroi në rrjetet sociale se “ky është sulm politik ndaj pavarësisë së Komisionit të Pavarur për Media dhe është bërë për të ushtruar presion në televizione”.

Nuk pati ndonjë reagim nga lëvizja Vetëvendosje në pushtet, ndërsa nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Vlora Çitaku shkroi se “nga kapja politike e KPM-së mund të pritet vetëm sulme politike mbi mediat e pavarura dhe cenim i mëtutjeshëm i lirisë së të shprehurit për të gjithë. Nëse procesi është bërë duke shkelur ligjet e rregulloret, atëherë duhet të reagojë menjëherë edhe gjyqësori”, shkroi ajo në rrjetet sociale./Voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat