Besnik Berisha, kryetari i sapozgjedhur i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), ka theksuar “pavarësinë” e tij dhe ka mohuar çdo lidhje me partitë politike – ndonëse në vitin 2021 ishte mbështetës i flaktë i Lëvizjes Vetëvendosje e kritik i madh i gazetarëve e analistëve.
Berisha ka thënë se përkrahja e tij për VV-në ka qenë për ndryshim, pasi gjendja në vend ishte e keqe.
“Unë nuk jam i kapur prej asnjë partie. Në raport të progresit e ki të përmend kur jemi zgjedh unë Jeton Mehmeti dhe Fatih Basha, që u zgjodhën njerëz të pavarur…
Unë në atë kohë nuk kam qenë një funksionar, e kam përkrahur një ndryshim, se unë e kam konsideruar se situata ka qenë shumë e keq. Dhe me besoni edhe sot e ndaj atë mendim…”, ka thënë Berisha në Debat Plus të RTV Dukagjini.
Më tej Berisha ka deklaruar se ka pasur tendenca për ta kapur këtë institucion nga disa OJQ, oligarkë, gazetarë dhe analistë – duke mos përmendur emra.
“Këtu shihet që ka tendencë me kap KPM-në. Disa OJQ, disa oligarkë, disa gazetarë e disa analistë”, ka shtuar Berisha.
Ai theksoi se zgjedhja e tij si kryetar, që hyn në fuqi më 21 janar pas përfundimit të mandatit të kryetarit aktual, Jeton Mehmeti, ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore.
“Për mua pak ka rëndësi kjo a konsiderohen që a jam unë kryetar a s’jam këto tri ditë apo edhe një mandat. Atë që e kemi votuar sot në mbledhjen sot, e kemi votuar zgjedhjen e kryetarit, i cili e fillon mandatin, më 21 janar, pas skadimit të kryetarit aktual”, ka thënë Berisha.
Procesi i zgjedhjes ka shkaktuar reagime nga figura të medias e shoqërisë civile.
Juristja e mediave, Flutura Kusari, e ka cilësuar këtë proces si një akt të paprecedentë që cenon pavarësinë e KPM-së dhe lirinë e mediave në Kosovë.
Berisha, megjithatë, ka mbetur i vendosur në mbrojtjen e procesit dhe ka nënvizuar se nuk ka asnjë interes për kapjen e institucionit.
“Ne e kuptojmë pjesën e fushatës që është bërë. Është në pyetje kryetari aktual zoti Jeton Mehmeti, të cilin ne e kemi zgjedhur, ka mandat edhe tri dite. Asnjëherë nuk na ka shkruar mendja me shkarku kryetarin Jeton Mehmeti. Dhe nuk i kemi pas arsyet, sot në mëngjes i kam parë disa në rrjete sociale, kam qenë jashtëzakonisht i befasuar në atë që u shfaq një lloj, jo lloj po është dezinformatë e kulluar se KPM është duke tentuar ta shkarkojë kryetarin, cili është interesi me shkarku. Asnjë interes nuk e kemi. Po të kishim arsye shkarkimin mund të bënim më herët”.
“Qysh po e kapim tri ditët e fundit. S’po na vyen asgjë. S’ka as logjikë e as asgjë”, tha ai.
“Dikush e përmendi sot a është e ligjshme apo jo. nuk është interesant kjo për mua hiç. Hiç absolutisht… në atë kuptimin që kish po dëshiron me gjet që kinse s’ka qenë e ligjshme”, ka thënë Berisha.