Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti edhe një herë ka kërkuar nga kompania Devolli që të kthejnë 62.6 milionë euro, që siç tha ai i kanë marrë në arbitrazhet e kurdisura.
Në tubimin e sotëm zgjedhor në Prizren, Kurti tha se duhet të ketë një kryeprokuror të ri e profesionist, pasi sipas tij “krerët e prokurorisë kanë vdekur për së gjalli”.
Kurti: Krerët e prokurorisë kanë vdekur për së gjalli, Devollët të kthejnë 62.6 milionë euro
“Korporata Devolli 62.6 milionë euro ia ka zhvatur Telekomit të Kosovës që do të thotë që secilit prej juve, secilit qytetar ia ka marrë përafërsisht 40 euro. Andaj, unë kërkoj përsëri nga pronari i korporatës Devolli që t’ia kthejë menjëherë Telekomit të Kosovës 62.6 milionë euro dhe t’iu kërkojë falje për arbitrazhin e kurdisur. Malli i huaj s’bëhet i yti. Shtetin tënd nuk bën me vjedh. Ktheni paratë, fitoni shpagim. Ku është Z-Mobile sot? Zyrtarisht Z-Mobile veç një të punësuar e ka, sepse nuk ju duhen më meqë e kanë kryer plaçkitjen. E krerët e prokurorisë qartazi kanë vdekur për së gjalli. Na duhet me doemos, na nevojitet një kryeprokuror i ri, profesionist, patriot, i ndershëm. Bandat e Serbisë dikur pasuroheshin në veri, e këta oligarkët pasuroheshin në arbitrazhe ndërkombëtare. Të dy grupet kundër Kosovës, shtrohet pyetja a me koordinim a po koordinim. Bandat i shporrëm dhe i shpartalluam, kurse këtyre edhe një herë po iu bëjmë kërkesë publike që menjëherë të kthejnë 62.6 milionë euro te Telekomi i Kosovës”, tha Kurti.
Kjo nuk është hera e parë që pari i Lëvizjes Vetëvendosje merret me Devollët, pasi edhe në të kaluarën ai ka adresuar ndaj tyre kritika e akuza.