Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përkujtuar heroin e kombit shqiptar, Gjergj Kastriot - Skënderbeu në 557-vjetorin e vdekjes, shkruan "Bota sot".
Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se “ai ka mbetur jo vetëm një gurthemel i çmuar i kombformimit te shqiptarët, por një hero edhe për kohën tonë gjithashtu”.
Postim i plotë:
Në kujtim të Skënderbeut, heroit tonë të të gjitha kohërave
Edhe 557 vite pas vdekjes së tij, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu vazhdon të na shërbej si shembull i rezistencës për liri dhe të na frymëzoj në rrugën e shtetndërtimit dhe krijimit të aleancave me Perëndimin. Skënderbeu vdiq në një ditë si sot, më 17 janar 1468, por ai ka mbetur jo vetëm një gurthemel i çmuar i kombformimit te shqiptarët, por një hero edhe për kohën tonë gjithashtu. Vërtetë lavdia e figurës së Skënderbeut i ka rrënjët në Arbërinë e shekullit të XV, por degët e tij shtrihen në të gjitha trevat shqiptare, sikurse frytet e saj që ushqejnë vetëdijen më sipërore politike ndër shqiptarë.
Lavdi veprës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për jetë e mot!