Fëmijët po marrin pjesë në tubime të partive politike, ani pse është e ndaluar. Subjektet që garojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit po përdorin të miturit për të fituar elektorat, thonë organizatat joqeveritare që monitorojnë këtë proces. Ata theksojnë se prezenca e tyre në tubime e spote televizive, është shkelje e të drejtave të fëmijëve por edhe shfrytëzim.
Gjatë javës së parë të fushatës zgjedhore, janë evidentuar disa raste të ekspozimit të fëmijëve.
Disa duke brohoritur, disa duke mbajtur pankarta, të tjerë duke recituar e madje dikush nga kandidatët për kryeministër u prezantua pikërisht nga vajza e tij e mitur.
Megjithatë, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ende nuk është dorëzuar ndonjë ankesë për prezencë të fëmijëve në fushatë zgjedhore.
Vullnet Bugaqku, i cili është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë se me legjislacionin në fuqi nuk lejohet prezenca e fëmijëve në tubime publike.
Bugaqku: Janë paraqitur raste të përdorimit të fëmijëve në fushata zgjedhore
“Nëpër media janë paraqitur dy apo tri raste të përdorimit të fëmijëve ose të prezencës së fëmijëve nëpër fushata zgjedhore. Megjithatë, aktualisht deri më tani nga lloji i ankesës që janë parashtruar në PZAP kemi vërejtur që ende nuk kemi ndonjë ankesë edhe zyrtarisht dhe formalisht të deponuar në PZAP për prezencë të fëmijëve. Megjithatë, duhet theksuar se legjislacioni në Kosovë që mbulon çështjen e fushatës zgjedhore dhe organizimin e procesit zgjedhor në tërësi në Republikën e Kosovës e thekson qartë faktin që nuk mund dhe nuk lejohet prezenca e fëmijëve deri në moshën 15-vjeçare në tubime publike përjashtim rastet kur ato bëhen me pëlqim të prindit apo në prezencë të prindit të tij apo saj”, deklaron ai.
Fëmijët nga mosha 16 deri në 18 vjeçare kanë të drejtë të marrin pjesë në tubime publike por gjithmonë jashtë orarit të mësimit.
E pakuptimtë konsiderohet prezenca e fëmijëve në tubime, marrë parasysh se të njëjtit nuk kanë drejtë vote.
Bugaqku: Nuk e kuptoj logjikën dhe idenë pse përdorën fëmijët në fushata
“Në Kosovë sipas Kushtetutës të drejtë vote kanë të gjithë ata shtetas të Kosovës që kanë mbushur moshën 18-vjeçare. Çdo kush që është nën moshën 18-vjeçare pavarësisht edhe nëse tenton të ftojë në prezencën apo në tubim publik nuk kanë ndonjë leverdie partitë politike që të nxisin votën e tyre. Sepse rinia, fëmijët në këtë rast të shkollave të mesme apo të shkollave fillore që janë nën moshën 18-vjeçare nuk janë votues, ata janë potencialisht votues të zgjedhjeve të ardhshme por jo në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025. Nuk e kuptoj logjikën edhe idenë pse përdorën fëmijët”, shton ai.
Viona Bunjaku nga Lëvizja Fol, thotë se mbrojtja e fëmijëve duhet të vlejë për secilën parti që është duke zhvilluar fushatë zgjedhore.
Bunjaku: Fëmijët janë prezent në fushata zgjedhore prej ditës së parë
“Prej ditës së parë kemi parë edhe në tubime edhe në hapje të tubimeve që fëmijët janë prezent në fushata zgjedhore. Normalisht kjo nuk është aspak korrekte, pasi që përdorimi i fëmijëve në fushata është e ndaluar dhe nuk duhet të përdoret fëmijë për vota dhe për shfrytëzim të pamjes së tyre. Ne edhe në media kemi parë që fëmijët janë prezentë edhe nëpër kronika zgjedhore... Partitë politike po mundohen që edhe përmes fëmijëve ta shfrytëzojnë mundësinë për të fituar sa më shumë elektorat, gjë që është e gabuar dhe mund të ndikojë jashtëzakonisht keq në integritetin dhe ruajtjen e identitetit të fëmijëve”, shprehet ajo.
Institucioni i Avokatit të Popullit i ka thënë KosovaPress-it, se subjektet politike duhet të tregohen të kujdesshme dhe të përgjegjshme në aktivitetet e fushatës zgjedhore.
“Subjektet politike duhet të tregohen të kujdesshme dhe të përgjegjshme, dhe të përmbahen nga aktivitetet e fushatës zgjedhore që do të cenonin të drejtat e fëmijëve. Të gjithë duhet të kenë parasysh gjithherë interesin më të mirë të tyre, si parim kryesor dhe e drejtë, e përfshirë edhe në akte të tjera ligjore të zbatueshme në Kosovë, që rregullojnë fusha të caktuara të të drejtave të fëmijëve. Kodi i Sjelljes për Shërbimet Mediale e Audio-Vizuale në Republikën e Kosovës, kur flet për prezantimin e fëmijëve dhe të miturve kërkon që e drejta e fëmijëve për privatësi gjithmonë të respektohet dhe se e ndalon përdorimin dhe prezencën e fëmijëve në spotet e ndryshme promovuese të partive politike”, thuhet në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Për prezencën e fëmijëve në tubime të partive politike ka reaguar edhe Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), me thirrjen që të njëjtit mos të shfrytëzohen.
“Informacionet dhe raportimet nga terreni gjatë ditëve të fundit kanë treguar se në disa raste, partitë politike po përdorin dhe përfshijnë fëmijë për të promovuar subjektet politike. Nisur nga kjo, KOMF bën thirrje tek të gjithë subjektet politike që të mos i shfrytëzojnë fëmijët në kuadër të fushatës zgjedhore. Përfshirja e fëmijëve në fushatë elektorale nga subjektet politike përbën shkelje të të drejtave të tyre, shfrytëzim, e në të njëjtën kohë nuk është në interesin më të mirë të tyre”, thuhet në komunikatën e KOMF-it.
KOMF po ashtu i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe të ndërmarrë masa bazuar në legjislacionin në fuqi.
Në Komisionin e Pavarur të Mediave janë dorëzuar nëntë raste që ndërlidhen me shkelje të mundshme gjatë tri ditëve të para të fushatës zgjedhore. Mes tjerash, monitoruesit kanë vërejtur prezencën e fëmijëve në pika reklamuese.