“Kosova mund të preket nga propaganda serbe e ruse”

Aktuale

“Kosova mund të preket nga propaganda serbe e ruse”

Më: 18 janar 2025 Në ora: 21:00
Gynen Venhar.

Janë bërë mbi një javë që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj industrisë serbe të naftës, NIS.

E këtë vendim po e vlerëson të duhur drejtori i The Geopost, Gynen Venhar.

Sipas tij, kompania NIS ka përkrahur media në Serbi të afërta me Rusinë e që qëllimi i tyre, siç thotë ai, ka qenë shpërndarja e propagandës dhe dezinformatave.

“Dyshohet se disa mediume në Serbi të cilat janë të orientimit pro rus gjithashtu edhe kanale zyrtare të youtube-it ku shpërndajnë dezinformata apo propagandë ruse njësinë më të madhe, dyshohet se është financuar po nga kjo kompani. Dhe ky është një vendim mëse i duhur në momentin e duhur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë sanksione kësaj kompanie me seli në Beograd”, tha drejtori ekzekutiv “The Geopost”.

Ai shton se institucionet e Kosovës duhet të parandalojnë ndikimin e Serbisë dhe Rusisë në kohën kur vendi është në fushatë dhe para zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Normalisht që Kosova është pjesë e Ballkanit dhe vazhdimisht Kosova dhe jo vetëm, poashtu Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e fundit është atakuar me këto propaganda, kemi raste konkrete të zgjedhjeve në Rumani, Moldavi dhe tani zgjedhjet janë në Kosovë vetëm se ka fillua fushata prandaj duhet të ketë një kujdes të shtuar nga ky ndikim”, tha Venhari.

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë Drizan Shala vlerëson se strukturat paralele serbe mund të jenë të involvuar, sipas tij, në minimin e shtetësisë së Kosovës.

“Edhe në strukturat paralele të cilat kanë vepruar apo zyret e tjera që kanë vepruar në Republikën e Kosovës, qoftë ajo postare e Serbisë ku kanë mund të bëhen shpërlarje parash, financimi apo suportimi i këtyre grupeve edhe kanaleve të ndryshme propagandistikë të cilët kanë një qëllim një synim minimizimin të aktiviteteve shtetërore të Kosovës, minimizimin dhe shkatërrimin e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Sipas tij, dyshohet se grupe të afërta me Beogradin zyrtar mund të riorganizohen për ngritje tensionesh në veri.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm, të vëmendshëm dhe sy hapur sepse ndoshta mund të shohim ndonjë riformatim apo riorganizim dhe ristrukturim të këtij grupacioni që mund të jetë i orientuar drejtë synimeve të politikës së Beogradit për të krijuar destabilitet në pjesën veriore”, tha ai.

Policia e Kosovës bashkë me institucionet tjera ditë më parë kanë mbyllur në shumë lokacione struktura paralele serbe që ishin nën dirigjimin e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat