Shkrimtari dhe aktori i njohur, Çun Lajçi, në këtë kohë fushatash u rikthye pas në të kaluarën dhe kujtoi fushatat e presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Ai tregonte si se presidenti Rugova organizonte fushatat dhe me theks të veçantë përmendi gjuhën që e përdorte.
Duke krahasuar me fushatat aktuale të liderëve politikë, Lajçi potencoi se Rugova organizonte fushata dinjitoze dhe nuk merrej me kundërshtarët dhe nuk binte preh e sharjeve të tyre.
Gjithashtu, shkrimtari kishte disa fjalë edhe për fushatat që po mbahen tani në Kosovë.
“Ne e dimë kush është kush, dhe s’na mbetet gjë tjetër veçse të zgjedhim: mashtruesin që zhurmon apo njeriun që flet pak e bën shumë për Kosovën; njeriun që mashtron e vjedh shtetin apo njeriun që e ndërton dhe e ruan atë.
Cili mund të jetë ai mbas Ibrahimit?
Albini?
Këtë s'e di unë e din sovrani dhe atij i mbetët të vendosë me 9 shkurt!”, shkroi Lajçi, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Ah, sa dinjitoze ishin fushatat e të përjetshmit Ibrahim Rugova!
Ai fliste pak, por thoshte shumë! Nuk ngrinte zërin, nuk i dilnin damarët e qafës. Nuk përdorte fjalë që nuk thuhen. E ruante veten, e ruante popullin dhe e ruante imazhin e Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve.
Fliste për të mundshmen dhe nuk premtonte përralla nga legjendat, siç bëjnë sot ata që nuk dinë as të mashtrojnë si duhet.
Ai nuk merrej me kundërshtarët, nuk binte pre e sharjeve të tyre. Kishte me çfarë të merrej dhe për çfarë të fliste!
Unë isha flamurtar në fushatën e tij zgjedhore të vitit 2002.
I pari dilja para popullit të ekzaltuar. Një ditë recitoja “O ju djemtë e shqiptarisë,” një ditë tjetër “Kokën lart shqiptari im.” Shkurt e thjesht, dhe karvani nisej për qytete e qyteza dardane!
Në mbrëmje me shanin partitë tjera; - ti po i reciton shkjaut, me thonin, njësoj si sot për Albinin!
Eh po ç'ti bësh, kështu jemi ne!
Ah, sa dinjitoze ishin fushatat e të përjetshmit Ibrahim Rugova!
Tani
Këta nuk flasin për programin (sepse atë kurrë nuk e realizojnë dhe as kanë se si – ai është balon i stërfryrë që, sapo bie mbi kaçë, pëlcet)! Harrojnë çfarë duan të thonë kur dalin para turmës dhe merren me njëri-tjetrin. Shpifin! Rrejnë! Mashtrojnë popullin dhe veten duke premtuar ar dhe xhevahire në qymyrin e Obiliqit!
Prej baltës bëjnë tulla e ndërtojnë kulla prej letre!
Çirren, pështyjnë, zhurmojnë, damarët e qafës u fryhen, dhe masa brohoret: “Lideri, lideri, lideri!”
Por cili është lideri? Çfarë tha lideri? Cilat ishin premtimet e tij?
Tani
Ne e dimë kush është kush, dhe s’na mbetet gjë tjetër veçse të zgjedhim: mashtruesin që zhurmon apo njeriun që flet pak e bën shumë për Kosovën; njeriun që mashtron e vjedh shtetin apo njeriun që e ndërton dhe e ruan atë.
Cili mund të jetë ai mbas Ibrahimit?
Albini?
Këtë s'e di unë e din sovrani dhe atij i mbetët të vendosë me 9 shkurt!
19 janar 2025