Kandidatët për kryeministër injorojnë “elefantin në dhomë”

Aktuale

Kandidatët për kryeministër injorojnë “elefantin në dhomë”

Më: 19 janar 2025 Në ora: 13:51
Katër kandidatët për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga AAK-ja.

Kërkesë e vazhdueshme nga aleatët ndërkombëtarë, por, mesa duket, jo mjaftueshëm popullore për të joshur votues. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nuk është top-zotim i asnjërit kandidat për kryeministër të Kosovës.

Në shtatë ditët e para të fushatës zgjedhore, të katërtit prej tyre - Albin Kurti i Vetëvendosjes në pushtet, Bedri Hamza i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së - energjitë i kanë përqendruar ekskluzivisht te politika e brendshme... dhe akuzat për njëri-tjetrin.

Me çmime të rritura, pagë mesatare 570 euro, papunësi mbi 10%, premtimet që fokusohen në përmirësimin e kushteve të jetesës, duket se depërtojnë më lehtë në mendjet e votuesve, por ata janë të vetëdijshëm se edhe dialogu, herët a vonë, është i pashmangshëm.

“Çdo qeveri që vjen në pushtet, pa bisedime me Serbinë, pa marrëveshje me Serbinë, nuk do të mund të sigurojë stabilitet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Fadil Pacolli nga Prishtina.

Për bashkëvendësin e tij, Abdyl Gashi, “kjo çështje nuk ka të bëjë me kategorizim prioritetesh - i pari, i dyti, i treti - por është një rrjedhë në të cilën Kosova ka hyrë dhe jashtë së cilës nuk mund të dalë, pa marrë parasysh se cila qeveri vjen”.

“Edhe me një komshi - sikur ta kesh një punë të paqartë apo të pakryer - duhet të bisedosh, e lëre më me shtetin fqinj. Punët duhet të kryhen gjithsesi me dialog”, thotë Valbona Ballovci, po ashtu nga Prishtina.

Dialogu, përkatësisht normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është edhe kushti që komuniteti ndërkombëtar i ka vënë Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, qoftë NATO-ja, Këshilli i Evropës e kështu me radhë.

Kosova është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi zyrën e secilit kandidat për kryeministër, për t’i pyetur se si do t’i qasen dialogut me Serbinë në rast se fitojnë, por prej asnjërit nuk mori përgjigje.

Partitë e të katërve kanë udhëhequr qeverinë në periudha të ndryshme kur Kosova ka nënshkruar ose bërë marrëveshje me Serbinë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Shumë prej këtyre marrëveshjeve, ende sot, nuk zbatohen prej asnjërës palë dhe tensionet mes tyre mbeten të larta.

Donika Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit, thotë se Kurti as në fushatën e para katër vjetëve nuk e ka përfshirë dialogun me Serbinë në mesin e prioriteteve të tij, duke u treguar më i pabindur para aleatëve ndërkombëtarë, ndërsa për partitë aktualisht në opozitë, ajo thotë se ka një arsye që nuk e përmendin atë.

“Para komunitetit ndërkombëtar, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja janë paraqitur gjithmonë si parti fleksibile, me të cilat Perëndimi mund të punojë. Por, të thuash diçka pro Asociacionit [të komunave me shumicë serbe] tani, është shumë jopopullore në Kosovë, cilësohesh edhe si tradhtar dhe këtë mezi e pret partia në fuqi, Vetëvendosje”, thotë Emini për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

“Në anën tjetër, të thuash se jemi kundër Asociacionit, atyre parti u digjet karta me komunitetin ndërkombëtar se ‘ne jemi konstruktivë dhe Kurti nuk është’. Ndaj, është thikë me dy tehe dhe po navigohet me shumë kujdes”, sipas saj.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër pikat më të nxehta në kontestin e saj me Serbinë.

Dy vendet kanë arritur marrëveshjen e parë për të në vitin 2013, kur në pushtet në Kosovë ka qenë PDK-ja me kryeministrin Hashim Thaçi, ndërsa, dy vjet më vonë, kur pushteti është udhëhequr nga LDK-ja me Isa Mustafën, është arritur edhe një marrëveshje tjetër për parimet e atij asociacioni.

Marrëveshja nuk është zbatuar kurrë, nga frika e autoriteteve të Kosovës se do të mund të ndikonte keq në funksionalitetin e brendshëm të shtetit. Janë hartuar, ndërkohë, drafte për statutin e Asociacionit, janë dhënë garanci për të nga komuniteti ndërkombëtar, është bërë trysni, por pa sukses.

Kryeministri aktual, Albin Kurti, nuk është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga shtatori i vitit 2023. Ai nuk i është përgjigjur asnjë ftese të BE-së për takim, pasi po atë muaj ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit dhe Kurti ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia - të cilën e ka bërë përgjegjëse - t’i dorëzojë fillimisht autorët e sulmit.

Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, thotë se kushdo që të zgjidhet kryeministër i ri i Kosovës, me doemos, do të duhet të përshtatet mes kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare në njërën anë dhe të kujdeset që Asociacioni të mos dalë jashtë kornizave kushtetuese të Kosovës në anën tjetër.

Megjithatë, paralajmëron se gjetja e këtij mesi të artë nuk do të jetë e lehtë për asnjërën palë.

“Serbia nuk është më dele e zezë e rajonit, nuk është më armike e Perëndimit, i cili e ka bombarduar. Për dallim prej 1999-ës, Serbia, në vitin 2025 është aleate e Perëndimit dhe kjo aleancë mes tyre vetëm se është duke u rritur. Ata gëzojnë sot raporte të paprecedente politike, ushtarake, ekonomike”, thotë Shasha.

Në mes të një agjende të ngjeshur globale, Besar Gërgi, nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike në Prishtinë, nuk pret që përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të jenë shpejt në vëmendjen e ndërkombëtarëve.

Ndaj, rekomandon që kryeministri i ri i Kosovës të fokusohet në tri prioritete tjera imediate të politikës së jashtme, sipas tij:

“Nën një është siguria kombëtare, sepse, çdo ditë e më shumë, rrezikohet nga Serbia me anë të militarizimit të saj dhe politikës ekspansioniste. Nën dy është konsolidimi i njohjes ndërkombëtare. Dhe, nën tre, është mirëqenia ekonomike e qytetarëve. Meqenëse Kosova është një shtet i vogël - qoftë me popullsi, qoftë me territor, qoftë me resurse ekonomike - duhet të synohet tërheqja e kapitalit të huaj për zhvillimin e ekonomisë së vendit”.

Derisa Gërgi thotë se përparimi në dialog do të varet ekskluzivisht nga vullneti i palëve, David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias, thotë se ritmin do të mund ta imponojë edhe presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, nga i cili nuk pret që të ketë shumë durim.

“Administrata e re do të ndjekë një politikë të ndarjes, të ngjashme me politikat e saj në të kaluarën. Ajo do të përpiqet të krijojë ose zona të veçanta ekonomike në veri të Kosovës, ose ndarje ligjore, duke ia bashkuar Serbisë komunitetet në veri të lumit Ibër. Trump është tregtar dhe njeri i pasurive të patundshme”, thotë Phillips.

Në vazhdën e luftës në Ukrainë, armiqësive në Lindjen e Mesme, rritjes së Kinës dhe sfidave të tjera gjeopolitike, çdo parashikim është i pasigurt.

Kandidatët për kryeministër të Kosovës kanë kohë deri në ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt për t’i bindur votuesit se kanë një vizion të qartë dhe efektiv për të ardhmen e tyre.

Pastaj, lista e tyre me gjërat “për t’u bërë” edhe mund të riorganizohet./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat