Eugen Cakolli, përfaqësues i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën e organizimit të vendvotimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai ka kritikuar vendosjen e kabinave të votimit përballë njëra-tjetrës dhe përdorimin e fletëvotimeve në format A3, duke theksuar se këto vendime rrezikojnë fshehtësinë e votës dhe cenojnë të drejtën e privatësisë së votuesve.
Sipas Cakollit, një organizim i tillë mund të lejojë komisionerët dhe vëzhguesit të monitorojnë lëvizjet e votuesve, duke krijuar pasiguri dhe presion të panevojshëm.
Në një postim në Facebook, Cakolli ka shprehur shqetësimin se ky nuk është rasti i parë kur KQZ-ja merr vendime që cenojnë standardet e fshehtësisë.
Ai përmendi edhe praktikat e mëparshme, si matrikulimi i gishtërinjve të votuesve, që ishte kritikuar si shkelje nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, por që u zbatua pavarësisht kundërshtimeve.
“Pse KQZ-ja po krijon kushte ku votuesit ndihen të ekspozuar dhe të pasigurt gjatë votimit? Fshehtësia e votës nuk është privilegj, por një e drejtë fundamentale që duhet mbrojtur,” ka shkruar ai.
Cakolli ka apeluar që KQZ-ja të respektojë standardet ndërkombëtare dhe të sigurojë privatësinë e votuesve, duke theksuar se garantimi i fshehtësisë së votës është një detyrim ligjor që nuk mund të injorohet.