Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka prezantuar sot para përfaqësuesve të sektorit të shëndetësisë plan-programin e tij qeverisës në këtë sektor të rëndësishëm të vendit.
Hamza ka premtuar investime në pajisje moderne, furnizim të mjaftueshëm me barna esenciale, 50 për qind rritjeve të pagave në sektorin e shëndetësisë në muajt e parë të mandatit dhe funksionalizim të sigurimeve shëndetësore.
Sipas Hamzës, qytetarët e Kosovës nuk po emigrojnë vetëm shkaku i papunësisë, por edhe për shkak të gjendjes së rënduar në sistemin shëndetësor.
Hamza: Shëndetësia është top-prioritet
“Për mua është top-prioritet shëndetësia. Njerëzit sot nuk po emigrojnë vetëm pse nuk kanë kontratë pune, por sot njerëzit dëshirojnë dhe kanë nevojë të kenë një sistem modern shëndetësorë. Ne do të investojmë në ndërtimin e kapaciteteve të reja, duke filluar prej shëndetësisë primare. Ne do të investojmë në pajisje moderne, unë ju siguroj dhe garantoj që aspekti financiar asnjëherë nuk do të jetë pengesë për pajisjen e sistemit shëndetësor me pajisjen e fjalës së fundit. Përveç, pajisjeve me teknologji më moderne ne do të investojmë dhe sigurojmë se kemi furnizim të mjaftueshëm me barna esenciale”, tha Hamza.
Hamza premtoi edhe përkujdesje ndaj të moshuarve me ndërtimin e qendrave regjionale për të moshuarit.
Hamza: 50 për qind rritje pagash për mjekët në muaj e parë të mandatit
“Synimi ynë, emergjenca mjekësore do të transformohen rrënjësisht. Mund të kemi edhe infrastrukturë të mirë të spitaleve, pajisje të mira teknologjike dhe furnizimin të mirë me barna dhe sisteme të mira të IT-së të cilat përcjellin gjendjen e pacientit, por pa resursin kryesor që jeni ju mjekë e infermierë kjo nuk funksionon. 50 për qind do t’ju rris pagat në muajt e parë të mandatit. Ne do të investojmë edhe për të moshuarit, sepse e meritojnë. Do të ketë përkujdes edhe për të moshuarit, do të ndërtojmë qendra regjionale për të moshuarit. Ju garantoj që do të ndodhë funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore”, ka thënë Hamza.
Ai gjithashtu premtoi se do të ndodhë edhe ligji për specializime në këtë sektor.
Kujtojmë, fushata e kandidatit të PDK-së për kryeministër Bedri Hamza vazhdon sonte në tubim me qytetarët e Kaçanikut.