Nëndega e Velanisë, e degës së tretë të LDK-së, Dega e Presidentit Rugova në Prishtinë, ka organizuar një tubim elektoral në ShFMU "Iliria", ku u prezantua programi zgjedhor dhe katër kandidatët për deputetë të kësaj dege.
Anëtari i kryesisë qendrore, Alush Gashi, i emocionuar, përmendi mbylljen e kësaj shkolle në të kaluarën dhe iniciativën për hapjen e shtëpive shkolla dhe mbledhjen e ndihmave për 31,000 qytetarë të larguar nga zonat e luftës. Ai gjithashtu ndau një nga gëzimet më të mëdha si prind, kur i dërgoi dy fëmijët e tij në klasën e parë të kësaj shkolle.
“Por sonte është një kënaqësi e veçantë, sepse këtu janë të pranishëm tri gjenerata që lidhen me programin e LDK-së. Këto zgjedhje përfaqësojnë një dukuri të jashtëzakonshme demokratike, pasi vota e LDK-së ka zgjedhur kryetarin e partisë nga gjenerata e mesme. Aktualisht, në LDK janë të zgjedhura tri gjenerata, por, natyrisht, gjenerata e parë duhet të jetë më e vogël në numër, siç e thotë biologjia. Gjenerata e mesme është më e shumtë në listën tonë, ndërsa gjenerata e re do të ketë më shumë mundësi për një qeverisje që i shërben të gjithëve”, tha Gashi.
Ai gjithashtu theksoi se ky subjekt ka pak polarizime politike, duke e ilustruar këtë me pjesëmarrjen e tre ish-kryetarëve të LDK-së, të cilët ishin ulur në rendin e dytë.