Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Të mërkurën e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 113-të në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Dëshmia e tij u dëgjua në sesion privat.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga ZPS-ja në gjykatë, dëshmitari ishte arrestuar në vitin 1999 nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së dhe më pas ishte dërguar në një qendër ndalimi ku ishte keqtrajtuar.
Ish-krerët e UÇK-së akuzohen nga ZPS-ja për vrasje, torturë e trajtim mizor në periudhën mes viteve 1998–1999. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.