Detajet: Ja çka tha ish-këshilltari i UNMIK-ut në procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Aktuale

Detajet: Ja çka tha ish-këshilltari i UNMIK-ut në procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Më: 20 janar 2025 Në ora: 16:33 Përditësuar në ora: 16:38 më 20.01.2025
Hansjoerg Strohmeyer

Ish-këshilltari i UNMIK-ut pohon se Thaçi bënte thirrje për Kosovë multietnike

 Ish-këshilltari juridik i UNMIK-ut në Kosovë, Hansjeorg Strohmeyer ka deklaruar se është në dijeni që Hashim Thaçi si përfaqësues i UÇK-së në Qeverinë e Përkohshme, ka bërë thirrje për një Kosovë multientike.

“Jam në dijeni që kanë ndodhur deklaratat të tilla dhe ne ia kemi kërku ndonjëherë atij ta bënte këtë gjë”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai gjithashtu tha se edhe në rastet e tjera, Thaçi ka luajtur rol të dobishëm në ç’tensionimin e situatave, sidomos për periudha afatshkurta.

“Ai edhe në raste të tjera ka bërë thirrje të tilla dhe është shembull se si ai ka luajtur një rol shumë të dobishëm, shumë të frytshëm për zgjidhjen e situatave të tilla sidomos në periudha afatshkurta”, tha dëshmitari.

Strohmeyer theksoi se në deklaratën e tij nuk flet për një politikë që ka synim veprimet kundër serbëve.

“Në gjithë deklaratën time unë nuk besoj që flas për një politikë të përgjithshme sepse politika në vetvete është një vendim shumë i synuar ose i qëllimshëm që shkon në drejtim të caktuar. Megjithatë, mund të ketë sjellje që bën të mundur ose i lejon akteve të caktuara që të shkojnë në përmbushjen e një politike të caktuar. Domethënë, ajo se çfarë po përpiqem të them është se mund të ketë një dallim në mes asaj që deklaron gjenerali Jackson nga përshtypjet që më janë krijuar mua gjatë kohës që kam qenë atë”, tha ai.

Stohmeyer tha se pavarësisht deklaratave publike, ka pasur veprime kundër serbëve ose dhunë ndaj tyre dhe se nuk është bërë diçka që kjo të parandalohet.

“Edhe nën nivelin  e politikave të deklaruara ka pasur veprime të shpërndara kundër serbëve ose dhunë ndaj serbëve. Kjo ka qenë përshtypja jonë dhe sipas përshtypjes sonë kjo nuk është parandaluar pavarësisht deklaratave publike dhe në disa raste as nuk është bërë e pamundur një politike e tillë”, tha dëshmitari.

Ndërsa sa i takon aspektit ligjor, Strohmeyer tha se nuk është konstatim i tij që ka pasur një politikë të tillë ndaj serbëve.

Strohmeyer: Kishte incidente, kemi parë serbë që largoheshin e jemi informuar për kërcënime personale

Dëshmitari Hansjeorg Strohmeyer, ish-këshilltar juridik i UNMIK-ut, deklaroi të hënën në Hagë se ndonëse nuk e kishte punë shënjimin e incidenteve, ai ka parë se gjatë misionit të tij në Kosovë kishte gjëra të tilla.

Madje, ai tregoi një rast kur kishte parë një çift serb që largoheshin, ndërsa më vonë atë vend e kishte parë teksa digjej, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Po, por në të njëjtën mënyrë të çrregullt apo sporadike siç janë raportuar. Ne kemi lëvizë me makinë në Kodrën e Diellit në Prishtinë dhe në anën e majtë e kemi parë, gjë që ishte e zakonshme atë ditë një lloj, një çift që merrnin plaçkat e tyre i ngarkonin mbi makinë, në të cilën kishin shkronja clirikë. Ne arritëm në përfundimin që ishin çift serb që po largoheshin. Pas 20 minutave kur po ktheheshim dhe te një vend ku e kishim parë këtë çiftin, po digjej. Ndaluam dhe biseduam me ata njerëz, me atë çift dhe na thanë që dikush kishte hedhur koktej molotovi në atë ndërtesë dhe në makina, duke i djegur dhe këta ishin serbë që donin të largoheshin”, tha ai.

Madje, ai tha se ka qenë i informuar edhe për kërcënime personale ndaj personave që nuk ishin shqiptarë.

“Nuk e di nëse ka pasur gjëra të tjera, por ishim të informuar edhe për kërcënime personale për persona që ishin jo shqiptarë”, tha Strohmeyer.

Ai tha se nuk ishte roli i tij që të shënjonte incidente të tilla por që nga pozicioni i tij kishte ndërveprime dhe kishte mundësinë që t’i shihte këto gjëra. Gjithashtu, ai shtoi se kishte vazhdimisht tensione.

Në anën tjetër, Strohmeyer tha se prej një takimi në Hotel “Grand” ishin të informuar se ekzistonte ambicia për krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

“Mund ta them që zoti Thaçi ishte aty dhe kishte persona të tjerë të pranishëm në sallë. Nuk më kujtohet saktësisht se kush ka qenë, por besoj që ka qenë edhe zoti Selimi nëse nuk gabohem. Megjithatë, jam i sigurt që zoti Thaçi e ka bërë prezantimin e kësaj ambicie. Që prej atij momenti e në vijim, ne ishim në dijeni të faktit që ekzistonte ambicia e kësaj pjese ose këtyre individëve që të paktën ishin aty për krijimin e Qeverisë ose mbase edhe ambicia e UÇK-së që të krijohet një Qeveri e Përkohshme që ishte e ndryshme  nga administratat që mendonim të krijonim ne sipas Rezolutës 1244. Sa i takon arsyes se pse ishte krijuar, ekzistonte përshtypja jonë se kjo ishte një lëvizje për të projektuar prej tyre dhe me kërkesë të tyre dhe një administratë që do ishte në kontrollin e tyre. Kjo ishte përshtypja”, u shpreh ai.

Dëshmitari mohoi se ka dijeni që Qeveria e Përkohshme ishte themeluar në bashkëpunim me Ibrahim Rugovën.

Veç kësaj, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari mohoi se ka qenë në dijeni që Qeveria e Përkohshme e Kosovës ishte me përkrahjen e ShBA-së.

Si rrjedhojë, avokati Mishetiq e ballafaqoi Stohmeyer me deklaratat e mëhershme, ku kishte thënë se Qeveria e Përkohshme e Kosovës ishte formuar njëanshëm. Megjithatë, ai tha se në atë kohë ashtu ishte përshtypja e tij.

Në këtë seancë, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon njoftoi se nuk do të kundërshtojnë që dëshmitari i nesërm të dëshmojë përmes video-lidhjes. Si rrjedhojë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, tha se do të lëshojnë urdhër për paraqitjen dëshmitarit të radhës përmes video-lidhjes.

Ish-këshilltari i UNMIK-ut thotë se pranonin raporte për krime nga anëtarët e UÇK-së

Hansjoerg Strohmeyer ka pohuar se pranonin raporte për krime që pretendohej se anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i kryenin në kohën kur ai ishte si këshilltar juridik në Administratën e Përkohshme të UNMIK-ut që ishte në Kosovë.

“Edhe njëherë, edhe në këtë rast nuk është se më kujtohet ndonjë rast konkret. Megjithatë, këto ishin llojet e raporteve që ne merrshim aso kohe”, tha Strohmeyer, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Prokurorja Vega Iodice ia prezantoi fillimisht dëshmitarit disa shënime të cilat sipas saj thonë se ka pasur raportime të rrahjeve dhe kidnapimeve nga anëtarët e UÇK-së.

Veç kësaj, Strohmeyer pohoi se në javët e para të vendosjes së tyre në Kosovë kishin vështirësi në ushtrimin e mandatit.

“Javët e para të vendosjes tonë sikurse e shpjegova edhe më herët, të nderuar gjykatës në fillesa ishte e vështirë për të ushtruar mandatin tonë dhe ne kishim frikë që në fakt nuk do ta ushtronim dot funksionin tonë dhe kishim përshtypje që për shkak të zhvillimeve mbase nuk do ta kishim të mundur që të krijonim një administratë civile në Kosovë”, tha ai.

Dëshmitari tha se në kohën kur ka qenë në Kosovë, ka vizituar një apo dy herë Pejën.

“Në njërën prej herëve kemi shkuar për të diskutuar çështje konkrete dhe sikur që e kam thënë në një pjesë të deklaratës sime: një mënyrë për të matur procesin ose për të qenë i dukshëm që UNMIK-u ishte i pranishëm dhe për të dhënë kontributin e vet për sigurinë dhe rendin ishte që të caktohej shumë shpejt një grup mobil dhe një trup gjykatësish për emergjencat dhe nuk mund të them nëse bëhet fjalë për këto rastet që shkruhen në raport. Nuk e di nëse janë këto rastet që kanë bërë të mundur shkuarjen time në Pejë, por unë vetë nuk kam qenë pjesë  e paneleve se nuk ka qenë detyra ime që të shkoja si gjykatës i përkohshëm apo si pjesë e paneleve të tilla, por jam i sigurt që këta gjykatës kanë shkuar dikur eventualisht në terren”, tha Strohmeyer.

Ndërsa, për pjesën tjetër të pyetjeve, prokurorja kërkoi seancë private, me arsyetimin se dokumentet që do të diskutohen i nënshtrohen rregullës kufizimeve sipas rregulloreve. Kjo gjë u aprovua nga trupi gjykues.

---

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të hënën ka filluar dëshminë dëshmitari i 114-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Hansjoerg Strohmeyer, i cili mban kodin W02183 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurorja Vega Iodice, e cila tha se Strohmeyer ka qenë këshilltar juridik në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nga qershori deri në shtator të 1999-ës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Dëshmitari W02183 ka qenë këshilltar juridik në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nga qershori deri në shtator të 1999. Dëshmitari W02183 do të japë dëshmi për situatën që ka parë në Kosovë kur ka mbërritur dhe takimet që ka pasur me udhëheqësit e UÇK-së dhe çështjet që kanë diskutuar së bashku. Dëshmitari W02183 do të japë dëshmi për njësitet policore të UÇK-së, autoritet lokale dhe tensionet që kanë pasur UNMIK-u me qeverinë e përkohshme të Kosovës”, tha prokurorja Iodice.

Strohmeyer pohoi se ka thënë që gjatë punës së tij në Kosovë kanë pasur dy vështirësi: të ushtrohej autoriteti i UNMIK-ut në zonat që kontrollonte UÇK-ja dhe e dyta ishte rendi publik dhe ofrimi i shërbimeve jetike.

Më pas, dëshmitari tregoi që situata më e tensionuar ishte në Prizren, ku më pas ishte vendosur një administrator i UNMIK-ut.

Prokurorja paraqiti një raport që sipas saj mbante datën 16-17 qershor 1999 e që fliste për disa serbë që janë takuar me anëtarë të OSBE-së dhe kanë kërkuar ndihmë sa i takon rrëmbimeve të pretenduara të anëtarëve të tyre nga UÇK-ja.

Dëshmitari tha që në raporte këto thuhen, por që nuk ka qenë në asnjërin prej këtyre rasteve.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari është parashikuar që të zgjasë rreth dy ditë. Ai tha se Prokurorisë i nevojiten një orë e gjysmë, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë parashikuar gjashtë orë për kundërpyetje.

Përpara kësaj, trupi gjykues foli për një kërkesë të Prokurorisë që dëshmitari W02714 të dëshmojë përmes video-lidhjes për nesër paradite.

Mbrojtja e Thaçit dhe Selimit nuk patën kundërshtime. Ndërsa, ajo e Krasniqit dhe Veselit tha se do të përgjigjen nesër.

Të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit dhe në prova materiale u pranuan disa deklarata të dëshmitarit së bashku me materialet përcjellëse.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat