Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Blerim Gashani ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ai në një postim në Favebook, ka thënë se “në pushimet mes ngashërimave, po marrim vesh se po ankohen pse nuk po ua japin patronatin e organizimit të akademisë për Ibrahim Rugovën në përvjetorin e shuarjes së Presidentit”.
Postimi i plotë:
LDK bën atë që di më së miri
Ia paskan plasur vajit LDK-ja. Në pushimet mes ngashërimave, po marrim vesh se po ankohen pse nuk po ua japin patronatin e organizimit të akademisë për Ibrahim Rugovën në përvjetorin e shuarjes së Presidentit.
Po t’kishim kohë, do t’u përgjigjeshim se ata mund ta kenë patronatin:
- por tani në LDK nuk ka kush flet për Presidentin Rugova;
- por në LDK tani nuk ka asnjë nga shokët, bashkëpunëtorët, bashkëmendimtarët e bashkëthemeluesit e lidhjes së Presidentit;
- por tani në LDK nuk ka asnjë që beson e punon për testamentin politik të Rugovës;
- por tani askush nga kryesia e LDK-së nuk i ka dy lidhje me Rugovën;
- por ata që pyeten sot në LDK, krejt fëmijërinë, rininë e një pjesë të pjekurisë e kanë kaluar duke kundërshtuar e përbuzur Ibrahim Rugovën dhe rrugën e vizionin e tij për Kosovën;
- por ata që janë vendimmarrës në LDK sot, nuk kanë qenë kurrë rugovistë;
- por paria e LDK-së së sotme nuk ka qenë kurrë as rugovistë e as LDK;
Dhe, më e fundit, por jo edhe nga rëndësia:
- mund ta merrni organizimin e akademisë, por a mund ta gjeni fotografinë e Ibrahim Rugovës që ta vendosni në ballë të oxhakut?!
Sepse, përveç që keni shkelur, përbuzur, harruar, tradhtuar, fshehur, devijuar e stërkequr rrugën e vizionin e themeluesit të shtetit të Kosovës, ju po kështu keni bërë edhe me imazhin e urtakut të Kosovës.
Prandaj, plasnja vajit e ngushëllohuni në supet e krejt atyre që e luftonin Rugovën sa ishte gjallë dhe që ju shndërruan në marioneta mjerane pas shuarjes së Atit Themeltar!
Për të tjerat, ka kush kujdeset, pa merak!