Sorensen zëvendëson Lajçak? Përfaqësues i ri, probleme të vjetra

Aktuale

Sorensen zëvendëson Lajçak? Përfaqësues i ri, probleme të vjetra

Më: 21 janar 2025 Në ora: 06:45
Diplomati danez, Peter Sorensen

Diplomati danez, Peter Sorensen, pritet të pasojë sllovakun Miroslav Lajçak në rolin e të dërguarit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Por, pavarësisht një emri të ri në strukturën e ndërmjetësit, problemet e vjetra mbesin aty.

Njohësit e procesit të dialogut thonë se është e rëndësishme që i dërguari i BE-së vjen nga një vend që njeh pavarësinë e Kosovës, por përfaqëson një institucion që ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovë. 

Melazim Koci, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, u shpreh për A2: “Gjithnjë përderisa Bashkimi Europian nuk ka qëndrim të unifikuar në raport me statusin e Kosovës, ata ndërmjetësues do të jenë të hendikepuar për vetë faktin që ka pesë vende që nuk njohin pavarësinë dhe që kanë reduktuar qëndrimin e Brukselit në raport me statusin e Kosovës në qëndim neutral, ky është hendikep për ta”.  

Sorensen, që do të raportojë tek përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, mund të sjellë risi në qasjen ndaj palëve për të cilën Prishtina është ankuar ndaj Lajçakut për njëanshmëri në favor të Serbisë. Vështirësitë e para për Kallas në raport me Kosovën janë vënë re menjëherë tek përpjekjet për të hequr masat ndëshkuese për të cilën nuk ka miratimin e të gjitha vendeve anëtare. Sfida të ngjashme priten edhe për procesin e dialogut.

“Besoj shumë që ajo [Kaja Kallas] do të shtyjë procesin [e dialogut], por ka shumë kufizime të mëdha dhe të them të drejtën i ka duart e lidhura nga vetë mekanizimi i vetos brenda Bashkimit Europian, prandaj jam i prirë të besoj në nisma që do të vijnë nga SHBA”, theksoi Koci. 

I dërguari i ri që pritet të nisë punën nga data 1 shkurt mendohet se do të përqendrohet vetëm në përpjekjet e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit të vitit 2023. 

Arbnor Sadiku, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, deklaroi: “Mendoj që do ta kenë më të lehtë sepse ka një marrëveshje në tavolinë dhe kërkohet që t’ju bëhet trysni palëve me kushte konkrete që në rast se palët nuk ecin më tej do të ketë edhe sanksione direkte për liderët qoftë të Serbisë, qoftë të Kosovës dhe natytrisht që për vetë qytetarët ose vendeve prej nga vijnë”.

Sorensen dikur ka qenë pjesë e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i njohur si UNMIK, ndërsa edhe në Serbi ka qenë përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat