Shkrimtari dhe aktori i njohur, Çun Lajçi, ka reaguar në lidhje me fushatat zgjedhore të partive politike, si dhe premtimet që po bëhen.
Në këtë pikë, ai kritikoi kryesisht partitë opozitare për premtimet e tyre për rritjen e pagave 50 për qind, ku tha se kjo është thuajse e pamunndur.
Po ashtu, përmendi edhe disa ‘gënjeshtra’ që në vazhdimësi ish-pushtetarët po i bëjnë për t’u rikthyer në pushtet, derisa përkujtoi disa gjëra.
“A e shihni kush janë këta që na qeverisën me vite, duke luajtur të vdekurin në veriun e Kosovës, kinse nuk po ndodhte asgjë, dhe tani bëhen shpëtimtarët e kombit e duan të na fusin në NATO brenda javësh!
Gënjeshtra ka këmbë të shkurtra, vetëm në Kosovë zgjat 20 vite. Dhe tani, gënjeshtra kthehet sërish, por me petkun e engjëjve të shpëtimit!
Më thoni, sa spiunë ka Kosova? Se militantët e tyre flasin vetëm për bashkëpunëtorë, tradhtarë, shqiptarë të serbizuar, e asnjëherë nuk flitet për ata njerëz të ditur që shitën pasurinë e tyre për çështjen e atdheut!
Më thoni ore, për çfarë u flijua Adem Jashari? Për postet tuaja? Për tokat tuaja? Për hotelet e vilat tuaja? Apo për Kosovën – cep më cep, shtet sovran dhe i lirë?” – shkroi ndër të tjera, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Më thoni ore, për çfarë u flijua Adem Jashari?
Të bësh sikur nuk po ndodh asgjë në këto fushata liderësh, cep më cep të atdheut, është njësoj si të shtrihesh para televizorit dhe të luash të vdekurin, duke marrë frymë rëndë dhe duke mos thënë asgjë!
T’i dëgjosh kryeministrat e ardhshëm teksa premtojnë rritje pagash prej 50%, pa e ditur se sa para ka shteti, është njësoj si të ftosh gjithë fshatin për darkë, pa ditur se sa miell ka baçica në magje!
Mrekulli!
Është fushatë, madje dimër, dhe kujtojnë se edhe kashta hahet kur bën ftohtë dhe bie borë!
T’i dëgjosh dhe të bëhesh sikur je kënaqur me ato që thonë, i bie njësoj sikur të marrësh një dru në krevat dhe të shtihesh se po bën dashuri me gruan!
Tani, gjithçka hahet dhe gjithçka shitet kur turma bën sikur nuk i njeh këta me thasët plot gënjeshtra e mashtrime, që ngjiten në skenë dhe bëhen qengja, duke u turrur të thithin gjirin e votave me premtime të shkruara mbi akull!
Këta luajnë rolin e engjëjve shpëtimtarë, ndërsa ne shtiremi sikur jemi të vdekur, pa çka se marrim frymë rëndë, duke i parë nga afër e nga larg.
E zeza e tyre dhe turpi ynë është kur këta kalojnë Oqeanin dhe bërtasin:
“Qeverinë duhet ta ndrrojmë me çdo kusht! Ne duhet të qeverisim sepse ne do ta fusim Kosovën në NATO!”
A e shihni kush janë këta që na qeverisën me vite, duke luajtur të vdekurin në veriun e Kosovës, kinse nuk po ndodhte asgjë, dhe tani bëhen shpëtimtarët e kombit e duan të na fusin në NATO brenda javësh!
Gënjeshtra ka këmbë të shkurtra, vetëm në Kosovë zgjat 20 vite. Dhe tani, gënjeshtra kthehet sërish, por me petkun e engjëjve të shpëtimit!
Më thoni, sa spiunë ka Kosova? Se militantët e tyre flasin vetëm për bashkëpunëtorë, tradhtarë, shqiptarë të serbizuar, e asnjëherë nuk flitet për ata njerëz të ditur që shitën pasurinë e tyre për çështjen e atdheut!
Më thoni ore, për çfarë u flijua Adem Jashari? Për postet tuaja? Për tokat tuaja? Për hotelet e vilat tuaja? Apo për Kosovën – cep më cep, shtet sovran dhe i lirë?
21.01.2024