Promovohet libri “Rugova prijësi intelektual”, vlerëson trashëgiminë e presidentit historik

Aktuale

Promovohet libri “Rugova prijësi intelektual”, vlerëson trashëgiminë e presidentit historik

Më: 21 janar 2025 Në ora: 13:51
Lumir Abdixhiku

Në përvjetorin e 19-të të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, është promovuar libri më i ri nga autori Ndue Ukaj të titulluar “Rugova prijësi intelektual”, i cili përmbledh analiza, ese dhe reflektime nga autorë të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë, mbi trashëgiminë intelektuale, krijuese dhe politike të Presidentit Ibrahim Rugova.

Të pranishëm ishin familjarë të presidentit Rugova, ish-bashkëpunëtorë të tij e udhëheqës të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ish-presidenti Rugova ishte njeri i librit, teksa e quan edhe themelues e krijues të shtetit të Kosovës.

“Sot përkujtojmë jetën dhe veprën e presidentit tonë historik përmes një libri homazh kushtuar atij, në të cilin libër janë bashkuar studiues të fushave të ndryshme, shkrimtar, gazetar të shquar nga të gjitha hapësirat shqiptare. Ky besoj që është se është nderimi më i mirë që i bëhet veprës dhe kontributit të tij. Kujtimi dhe nderimi i Rugovës përmes një libri është nderimi më i mirë që i bëhet jetës së tij, sepse Rugova para se gjithash ishte njeri i librit dhe ka shkruar librin më të çmueshme dhe më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare, ka shkruar librin e shtetit te Kosovës. Në këtë përvjetor të 19-të kalimit të tij në amshim ne po e pasurojmë mendimin kulturor e politikë për të”.

“Rugova është prijësi intelektual dhe në këtë libër janë përfshirë studime, ese e vlerësime të autorëve të ndryshëm nga të gjitha hapësirat shqiptare të moshave të ndryshme që e nënvizojnë këtë dimension por edhe paraqesin pamje të tjera të kontributit madhor të Rugovës për politikën, kulturën për vetë artin shqiptar. Kjo është shenja me e mirë dhe dëshmia me e qartë e jetës aktive që bënë vepra e Rugovës në realitete të reja si dhe dëshmi e vlerës shumë dimezionale, sepse presidenti ynë mbetet themeluesi e krijuesi i shtetit të Kosovës duke lënë pas vetës një trashëgimi të pasur, një shkollë politike bazament dhe për punën time dhe të partisë që unë sot e drejtoj”, u shpreh Abdixhiku.

E profesori Rrahman Paçarizi, kujtoi deklaratat e ish-presidentit Rugova në fushatën elektorale në vitin 2001. Sipas tij, Rugova i ftonte qytetarët t’i votonin edhe grupet tjera politike.

“Në zgjedhjet e vitit 2001 Rugova në disa tubime parazgjedhore, çuditërisht që disa njerëz e shihnin atë vetëm si kryetar i LDK-së, i ftonte qytetarët që përveç LDK-së t’i votonin edhe grupimet e tjera politikë. Rugova dhe klasa intelektuale që e rrethojnë i shkoi pas, i ndihmoi, e modeloi. 12 vjet para asaj fushate kishe promovuar pluralizmin në Kosovën aso kohë të okupuar dhe 12 vite pas në zgjedhjet e para në Kosovën e çliruar vazhdonte ta promovonte pluralizmin, duke vazhduar ta refuzonte monopolin politik, monizim e totalitarizmin, qasje të tillë nuk mund të promovojë një politikan, një thjesht politikan, prandaj Rugova është në krye dhe në fund të herës intelektuali me besimin e palëkundur në vlerat demokratike që përfaqësoheshin nga bota perëndimore”, u shpreh ai.

Ndërsa autori i këtij libri, Ndue Ukaj, tha se përmes këtij libri, lexuesi e kupton mirë profilin e presidenti Ibrahim Rugova.

Ky libër shpalos disa aspekte të rëndësishme të kontekstit të kohës dhe të rolit madhor të tij në realitetin shoqëror. Libri paraqet një risi të bukur për të zbuluar me tej personalitetin e Rugovës dhe për ta ndriçuar aspektin e veprës së tij. Duke lexuar këto tekste, lexuesi shqiptar e kupton mirë personalitetin e Rugovës dhe për ta ndriçuar aspekte të veprës së tij duke lexuar këto tekste lexuesi e kupton mirë profilin e presidenti dhe mund të përthellohet më shumë në veprimtarinë tij politike dhe letrare”, deklaroi Ukaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat