Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka kujtuar presidentin historik Ibrahim Rugova si arkitekt të pavarësisë. Në 19-vjetorin e vdekjes së tij, Osmani tha se rugovizmi është një frymë që sjell bashkim, derisa nënvizoi Rugova e ka vendosur Kosovën në tryezën e diplomacisë ndërkombëtare.
Osmani, në ceremoninë përkujtimore në 19-vjetorin e vdekjes së Rugovës, ku ishin të pranishëm ambasadorë të akredituar në Kosovë, tha se ai ka qenë një politikan vizionar që Kosovën e ka parë si një amanet historik të një populli që ka luftuar për liri.
Osmani: Rugova, arkitekt i Pavarësisë së Kosovës
“Presidenti Rugova ishte një politikan vizionar, një filozof dhe mendimtar i thellë dhe një liderë që i dha politikës kosovare dimensionin më të rëndësishme të saj, atë human, por edhe dimensionin kulturor të shembullit të kohës moderne...Ishte ai që vendosi Kosovën në tryezën e diplomacisë ndërkombëtare, që krijoi miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet evropiane dhe vendet demokratike anë e kënd botës. Kësisoj i dha çështjes sonë një legjitimitet të padiskutueshëm kombëtarë...Me këtë qasje e vendosi Kosovën në hartën e ndërgjegjes demokratike botërore dhe bëri çështjen tonë kombëtare një shembull të rezidencës të krahasuar me lëvizjet më të mëdha për të drejtat e njeriut në shekullin 20”, theksoi Osmani.
Fjalën e mori edhe ish-presidenti, Fatmir Sejdiu i cili tha se Rugova do të mbahet mend si zëri i Kosovës në botë.
Ndërkaq, shtoi se ai ka qenë edhe simbol i unitetit dhe pajtimit në politikën kosovare.
Sejdiu: Rugova do të mbetet një simbol i unitetit dhe pajtimit
“Rugova do të mbetet gjithmonë një simbol i unitetit dhe pajtimit. Një lider që arriti të realizojë ëndrrën historike të shqiptarëve në Kosovë dhe kudo për një Kosovë të lirë dhe pavarur. Në takimet e shpeshta që kam pasur dhe kam edhe tani me zyrtarë ndërkombëtarë është vështirë të përfundojë biseda pa folur me respekt për veprën e presidentit Rugova për të vlerësuar rolin dhe kontributin thelbësor të arkitektit dhe ndërtuesit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, theksoi Sejdiu.
Pas përfundimit të ceremonisë përkujtimore, u hap edhe ekspozita e fotografive të presidentit Rugova, nga fotografi Hazir Reka. Ndërkaq, u ekspozua edhe vetura e restauruar e presidentit Rugova.