PZAP vazhdon t’i gjobisë me mijëra euro partitë politike

Aktuale

PZAP vazhdon t’i gjobisë me mijëra euro partitë politike

Më: 21 janar 2025 Në ora: 18:47
Foto ilustrim

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka vazhduar t’i gjobisë partitë politike që i kanë shkelur dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

PZAP-ja, e ka gjobitur sërish Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë e 500 euro, për gjuhën fyese të kryetarit të saj, Albin Kurtit, ndaj akronimit të LDK-së në Lydykyhi si dhe “lodhja dokrratike e Kosovës”.

Vendimi vjen pas ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Më tutje parashtruesi i ankesës thekson se për ilustrim se çka ka thënë kryeministri Kurti në fjalimin e tij në Podujevë, të transkriptuar edhe në tekst e gieni si në vijim: “Te dashur qytetarë të Llapit, LYDYKYII – Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është Lidhje, por është lodhje, dhe nuk është demokratike, por është dokrarike, e ne përgjithësi mender methane opozita po i japin zor mule anej mule knej për vend të dytë, poget e kanë pa edhe ata vet që s’ka ymyt, se qashtu qysh Shpejtimi i ka myt, Vetëvendosja po i myt cep më cep në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Ankesa e LDK-së ka bërë që të gjobitet prapë LVV. Kjo pasi kandidati për deputet Raif Çavolli, e kishte vendosur posterin e tij në pronën publike, konkretisht në hapësirat e stadiumit “Shahin Haxhiislami” në Pejë.

Parti tjetër që është gjobitur është edhe Partia Demokratike e Kosovës. Kjo parti është gjobitur me 4 mijë euro pas ankesës që ka bërë LVV-ja.

Kjo për shkak të një videoje të publikuar nga kandidatja për deputete e këtij subjekti, Blerta Deliu-Kodra të cilën e kishte realizuar brenda hapësirës së Kuvendit, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet. Njëjtë është gjobitur edhe për kandidaten tjetër Ariana Musliu-Shoshi, e cila kishte postuar një video me tekst shoqërues, të realizuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

PDK është gjobitu me 4 mijë euro edhe për kandidatin për deputet Pleurat Sejdiu, i cili ka realizuar një video brenda hapësirave të OM-së dhe e ka postuar në Facebook.

LDK u dënua me 3 mijë e 500 euro pasi kandidatja e këtij subjekti Doruntinë Maloku, e kishte vendosur posterin në hapësirat publike.

Nga ankesa e LVV-së është gjobitur me 3 mijë e 500 euro  edhe koalicioni AAK, Nisma, Konservatorët, E-30 dhe Lista Ideali. Kjo pasi kandidati i saj Nuredin Lushtaku, ka vendosur posterin në hapësirën publike, afër Shkollës Fillore “Shaban Jashari” në Skenderaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat