Dëshmitarja: Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte, ishte në shtëpinë tonë para tri ose katër vitesh

Aktuale

Dëshmitarja: Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte, ishte në shtëpinë tonë para tri ose katër vitesh

Më: 21 janar 2025 Në ora: 19:43
Foto ilustrim

Prishtinë – Në sallën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dëshmitarja Valbona Kelmendi rrëfeu se Millorad Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte, kishte vizituar shtëpinë e saj së bashku me dajën e saj.

“Po, ishte me dajën tim. Kjo ka ndodhur jo pas luftës, por para tre ose katër vitesh. Nuk ka kaluar më shumë kohë se kaq,” tha Kelmendi gjatë dëshmisë së saj.

Ajo shpjegoi se, ndonëse nuk e kishte parë vetë të akuzuarin, emrin e tij e kishte dëgjuar nga nëna e saj.

“Nëna ime e ka përmendur emrin e tij disa herë. Por, personalisht, unë nuk e kam takuar asnjëherë,” deklaroi ajo.

Dëshmitarja shtoi gjithashtu se Gjokoviqi kishte qenë në shtëpinë e saj së bashku me disa persona të tjerë.

“Emri i Millorad Gjokoviqit përmendej shpesh. Mbaj mend që hynin në dhomën ku rrinin pjesëtarët e familjes sime, pinin raki dhe flisnin mes tyre,” tha Kelmendi.

Sipas saj, nëna kishte pohuar se vetëm Gjokoviqi mund të kishte informacion mbi ata që kishin vrarë familjarët e tyre.

Kur u pyet nga gjyqtari Vesel Ismajli nëse kishin provuar ta pyesnin të akuzuarin për vrasjet, ajo u shpreh se nuk kishin guxim për shkak të traumës që kishin përjetuar.

Dëshmitarja kujtoi ngjarjet tragjike të 14 prillit 1999, kur ajo bashkë me familjen e saj u përpoqën të largoheshin nga zona. Gjatë ikjes, vëllai i saj dhe kunata u vranë nga të shtënat.

“Ushtarët serbë morën babanë dhe vëllain e vogël. Na thanë që të shkonim për të marrë trupat e familjarëve të vrarë, por ata nuk u kthyen më,” rrëfeu ajo.

Sipas saj, një jave më vonë mësuan se edhe babai dhe vëllai i saj ishin vrarë.

“Na thanë që babai kishte dhënë para për të marrë trupat, por as ai dhe as vëllai nuk u kthyen. Pas një jave mësuan se ata ishin vrarë gjithashtu,” tregoi ajo.

Sipas aktakuzës të ngritur më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq ngarkohet me krime lufte që dyshohet të jenë kryer në vitet 1998-1999 në rajonin e Pejës. Ai akuzohet për vrasje, tortura, arrestime dhe trajtim mizor të civilëve shqiptarë.

Gjithashtu, ai përballon akuza për bastisje, plaçkitje dhe shkatërrim të pronës, si dhe deportim dhe zhdukje të civilëve shqiptarë.

Aktakuza përshkruan që forcat serbe, të ndara në grupe të ndryshme, kryen operacione në fshatin Ozdrim dhe zonat përreth, ku të paktën gjashtë civilë u vranë dhe disa të tjerë mbeten të zhdukur.

Gjokoviq akuzohet për veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”, bazuar në nenin 142 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së, i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat