Vendim të drejtë e të pandikuar politikisht, pret për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, ish-bashkëluftëtari i tyre, Lahi Brahimaj. Ai beson se ata do të shpallen të pafajshëm si dhe pret kthimin sa më parë të tyre në Kosovë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vititt 2020. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngrakon ata me krime të pretenduara të luftës.
Në një proces të tejzgjatur gjyqësor, ata po presin fundin e çështjes së prokurorisë pranverën e këtij viti.
Brahimaj: Bashkëluftetarët do të shpallen të pafajshëm dhe do të kthehen në Kosovë
“Unë shumë besoj që pas shqyrtimit të provave të ofruara nga prokuroria, pastaj nga mbrojtja, Gjykata do të nxjerrë një vendim të drejtë, të pa ndikuar politikisht, dhe unë shumë besoj që bashkëluftëtarët e mi do të shpallen të pafajshëm dhe shumë shpejt besoj se do të kthehen në Kosovë…Nëse i sheh transmetimet [e seancave] janë të cunguara, ka këputje dhe është zor me dhënë një vlerësim real. Shumë herë mundem me dhënë me emocion, por derisa nuk e ke për ta dëgjuar komplet njërën pjesë, këto që po ndodhin me shkëputje është e zorshme”, thotë Brahimaji cili ishte përballur vetë me proces gjyqësor, atëherë në Tribunalin e Hagës, prej të cilit kishte dalë i pafajshëm në vitin 2012.
Proceset pranë Gjykatës Speciale në Hagë vazhdojnë të kritikohen në Kosovë, kryesisht për mos transparencë.
Gjykata, e cila është votuar nga Kuvendi i Kosovës, e ka selinë në Holandë dhe përbëhet prej gjyqtarëve e prokurorëve ndërkombëtarë.
Zyrtarë të lartë shtetërorë kanë deklaruar se duhet të ketë mekanizëm për mbikqyrjen e Gjykatës Speciale. Por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë nismë.
Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, se nëse ky institucion do të ndërmerrte nismë për ndonjë rezolutë lidhur me proceset pranë Speciales, partia e tij do ta depozitonte të njëjtën në Kuvendin e Shqipërisë.
Lahi Brahimaj i cili synon rikthimin e tij në Kuvendin e Kosovës si deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thotë se do ta mbështeste çdo nismë e cila ka bazë ligjore dhe është në mbështetje të ish-bashkëluftëtarëve të tij.
Brahimaj: Si deputet do ta votoja çdo nismë që ka bazë ligjore
“Çdo nismë që ka bazë ligjore, nëse do të jemi deputet do ta përkrahi. Por, sigurisht, rezolutat nuk kanë ndonjë efekt në vendimmarrje, kanë ndoshta më shumë vetëm një opinion...Do të konsultohem edhe me ekspertë që e njohin më mirë gjykatën [speciale] dhe çdo mundësi, çdo hapësirë ligjore që do të shkojë në përkrahje të bashkëluftëtarëve, unë do ta votoj, por jo pa konsulta me ekspertë të drejtësisë", deklaron Brahimaj.