Në Dhomat e Shkallës së Parë të Gjyaktës Komerciale, të mëkurën është mbajtur procesi zgjedhor për anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e gjykatave themelore dhe Dhomave të Shkallës së Parë të Komerciales. Me këtë rast, gjyqtari Arnis Dumani me 12 vota u konfirmua si kandidat për këtë pozitë.
Fillimisht, në bazë të kompetencave ligjore, të drejtën për t’u kandiduar për anëtar të KGJK-së e ka shfrytëzuar gjyqtari Arnis Dumani nga Gjykata Komerciale. Më pas, kryetarja e komisionit ad-hoc, Drita Rexhaj njoftoi se 12 gjyqtarë kishin të drejtë vote dhe se të gjithë morën pjesë në votim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Pas këtij votimi, gjykatësi Dumani do të vazhdojë garën në tubim zgjedhor.
Procesi zgjedhor është zhvilluar pas përfundimit të mandatit të anëtarit të KGJK-së nga radhët e gjykatave themelore, gjyqtarit Avni Mehmeti.
Ndryshe, KGJK-ja në mbledhjen e 337-të më 26 dhjetor 2024, kishte shpallur konkurs për dy pozita të lira për anëtarë të Këshillit. Pas kësaj, më 16 janar 2025 në mbledhjen e 339-të, KGJK-ja kishte përcaktuar orarët e votimit të kandidatëve.
Gjykata Themelore në Pejë të hënën (20 janar 2025) zhvilloi edhe procesin e votimit për të konfirmuar kandidatin Arben Mustafaj, i cili është gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog dhe i njëjti mori 24 vota pro nga gjyqtarët që votuan.
Po ashtu, në të njëjtën ditë u zhvillua edhe procesi i votimit në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për të konfirmuar kandidaten Mirjeta Shala, e cila është gjyqtare në Gjykatën Themelore në Gjakovë. Ajo u konfirmua si kandidate për anëtare të KGJK-së me votat e 25 gjykatësve. Kandidatët e konfirmuar pritet që në tubimin qendror të paraqesin vizionin e tyre si anëtar të KGJK-së.
Kurse, më 21 janar 2025, me 31 vota për, gjykatësi Besnik Bislimaj është zgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nga radhët e Gjykatës së Apelit dhe Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, me mandat pesëvjeçar.
Zgjedhja e kandidatëve për anëtarë të KGJK-së, është monitoruar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.