Liderët e Koalicionit “Lista për Familjen” vizituan Odën Ekonomike dhe Shoqatën e Pensionistëve

Aktuale

Liderët e Koalicionit “Lista për Familjen” vizituan Odën Ekonomike dhe Shoqatën e Pensionistëve

Më: 22 janar 2025 Në ora: 13:02
Liderët e Koalicionit “Lista për Familjen”

Sot, liderët e Koalicionit “Lista për Familjen” zhvilluan vizitë në Odën Ekonomike të Kosovës dhe Shoqatën e Pensionistëve.

Gjatë këtyre vizitave, ata u njoftuan nga afër me sfidat dhe shqetësimet që po përballojnë bizneset vendore dhe pensionistët.

Në njoftimin për media thuhet në takimin me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna u diskutua për zhvillimet ekonomike të vendit dhe për rëndësinë e përkrahjes së prodhimeve vendore.

“Të dyja palët ishin të një mendimi se shteti i Kosovës duhet të ofrojë më shumë mbështetje për prodhuesit vendorë. Rafuna theksoi disa prej sfidave kryesore me të cilat përballen bizneset vendore, përfshirë mungesën e fuqisë punëtore”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, lideri i koalicionit, Selim Pacolli, shpjegoi se, sipas planit programor të Koalicionit “Lista për Familjen”, parashihet krijimi i një gjykate ekonomike, e cila do të lehtësojë zhvillimin ekonomik të vendit.

Deputeti Visar Korenica vlerësoi punën e deritanishme të Odës Ekonomike dhe theksoi se Koalicioni “Lista për Familjen” do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve të punësimit dhe mbështetje për prodhimin vendës.

Pas vizitës në Odën Ekonomike, Koalicioni “Lista për Familjen” u takua me Shoqatën e Pensionistëve, ku diskutuan për rëndësinë e mbrojtjes dhe përkrahjes së pensionistëve në vend.

Pacolli theksoi se familja do të mbetet gjithmonë një prioritet kryesor i Koalicionit, ndërsa Visar Korenica theksoi se Koalicioni do të luftojë për të mbrojtur institucionin e familjes dhe për të kundërshtuar çdo përpjekje që mund të dëmtojë këtë institucion të shenjtë.

“Gjatë këtij takimi, ushtruesi i detyrës së Shoqatës së Pensionistëve theksoi mbështetjen e koalicionit për pensionistët dhe ngriti disa kërkesa kryesore. Një nga kërkesat e tyre primare ishte ligji për fondin pensional, si dhe shqetësimi për paraqitjen e pensionistëve çdo gjashtë muaj, një praktikë që ata e konsiderojnë si një pengesë të madhe. Koalicioni ‘Lista për Familjen’ premtoi se ky vendim do të eliminohet, duke siguruar që ky proces të jetë më i thjeshtë dhe më i drejtë, si pjesë e planit qeverisës të koalicionit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat