Sefte në politikë, synojnë të ndryshojnë ecjen e Kosovës

Aktuale

Sefte në politikë, synojnë të ndryshojnë ecjen e Kosovës

Më: 22 janar 2025 Në ora: 13:03
Kandidatët që po garojnë për herë të parë Jehona Lushaku Sadriu, Drin Ejupi, Nezir Kraki, Emine Daci Zejnullahu.

Nezir Kraki është gati të lërë pas karrierën e tij akademike në Francë, për t’u angazhuar aktivisht në skenën politike të Kosovës.

Profesori i Shkencave Politike, që prej vitesh ligjëron në Universitetin Paris-Est Creteil, ka vendosur të garojë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit - për herë të parë në një garë politike.

“Për mua, ligjet brenda të cilave funksionon një shoqëri, duhet të jenë sa më të qarta dhe sa më të përputhshme me nevojat konkrete të qytetarëve”, thotë 43-vjeçari për Radion Evropa e Lirë.

Ai është në listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila aktualisht është në pushtet, të cilën thotë se e ka zgjedhur për t’i çuar përpara ligjet në dobi të qytetarëve - pa i specifikuar cilat - por edhe politikën e jashtme të Kosovës.

Me një synim krejt tjetër ka vendosur të përfshihet për herë të parë në një garë zgjedhore edhe Drin Ejupi.

Gazetar për 15 vjet në Kosovë, ai thotë se do të angazhohet për një shtyp më të lirë dhe jo vetëm...

“... për një drejtësi më të pavarur, për qytetarë më të lidhur me sportin, sepse aty është edhe shëndeti, për zhvillim të qëndrueshëm shoqëror dhe ekonomik”, thotë 35-vjeçari.

Për këto synime thotë se e ka gjetur veten te programi i Partisë Demokratike të Kosovës, në listën e së cilës është përfshirë tashmë si kandidat për deputet.

Pjesë e Kuvendit për herë të parë synon të bëhet edhe Jehona Lushaku Sadriu.

Prej vitesh profesoreshë e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës dhe drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ajo i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 2021, ndërsa këtë vit ka vendosur të garojë për herë të parë për pozitën e deputetes.

Vendimin thotë se e ka marrë duke parë “kushtet e vështira në shkolla” dhe “cilësinë e dobët në arsimin parauniversitar”.

“Unë do të shtyj përpara platformën e mësimit gjithëditor në të gjithë Kosovën”, thotë 44-vjeçarja.

Për ta forcuar bindjen e saj, ajo kujton se një projekt i tillë ka nisur vitin e kaluar në pesë shkolla fillore në Prishtinë dhe thotë se rezultatet deri më tash janë pozitive.

Një kandidate tjetër që ka nisur rrugëtim të ngjashëm, është edhe Emine Daci Zejnullahu.

Në të 50-tat e saj, ajo është bërë për herë të parë kandidate e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe qëllimin thotë se e ka të qartë: ngritjen e sektorit të bujqësisë.

Daci Zejnullahu është e shkolluar në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë dhe ligjëron në një kolegj privat në Prishtinë.

Ajo shpreh bindjen se, duke qenë pjesë e vendimmarrjes, do të mund të angazhohet për rritje të prodhimit vendor.

“Pjesa më e madhe e ushqimit në Kosovë është e importuar. Remitencat dhe pagat tona shkojnë jashtë Kosovës dhe kështu ndërtohen shtetet tjera”, thotë Daci Zejnullahu.

Të gjitha fushat ku synojnë t’i përqendrojnë energjitë këta kandidatë, në fakt, kanë nevojë për përmirësime.

Për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka ngecur në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në këtë bllok.

Gjendja e lirisë së mediave në vend, sipas Indeksit për Lirinë e Shtypit të Reporterëve pa Kufij, është përkeqësuar vitin e kaluar. Në listën me 180 vende, Kosova është renditur në vendin e 75-të, apo 19 vende më poshtë se në vitin 2023.

Cilësia e arsimit është po ashtu e ulët. Në tri teste të PISA-s -program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve në lexim, shkencë e matematikë - që janë zhvilluar më 2015, 2018 dhe 2022, Kosova ka dalë gati në fund të listës botërore.

E, sa i përket ekonomisë, vendi ka debalancë të madhe mes importit dhe eksportit tash e sa vite. Mesatarisht në vit, importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksporton nën vlerën e 1 miliard eurove.

Premtime të ngjashme për ndryshime ka pasur edhe më herët, por mbetet për t’u parë se sa prej këtyre do të jetësohen kësaj radhe.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të garojnë mbi 1.200 kandidatë, prej të cilëve do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit, dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti i Vetëvendosjes, aktualisht në pushtet, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat