Kosova nënshkruan marrëveshjen me EFTA-n, Kurti: Do të krijojë mundësi të reja

Aktuale

Kosova nënshkruan marrëveshjen me EFTA-n, Kurti: Do të krijojë mundësi të reja

Më: 22 janar 2025 Në ora: 14:51 Përditësuar në ora: 18:23 më 22.01.2025
Foto nga vendi i ngjarjes

Kurti: Marrëveshja me EFTA-n hap rrugë të reja eksporti e integrim ekonomik

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë mes Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s, kryeministri Albin Kurti priti përfaqësues të institucioneve dhe bizneseve në një pritje të organizuar në `Shtëpinë e Kosovës` në Davos

“Është kënaqësi të ju mirëpresim në Shtëpinë e Kosovës për të shënuar këtë arritje të madhe. Marrëveshja do të zgjerojë mundësitë, do të hapë rrugë të reja eksporti dhe do të integrojë ekonominë tonë në kornizën ekonomike evropiane,” deklaroi Kurti.

Kryeministri vuri në pah progresin ekonomik të Kosovës, duke theksuar se rritja mesatare ekonomike ka qenë 6%, me të ardhurat tatimore që janë rritur me 40% krahasuar me vitin 2021, dhe një buxhet shtetëror që këtë vit është 50% më i madh.

Përveç progresit ekonomik, Kurti nënvizoi avancimet demokratike të Kosovës.

“Sipas organizatave prestigjioze ndërkombëtare, Kosova ka pasur ngritjen më të madhe demokratike në katër vitet e fundit,” tha ai.

Në fund, kryeministri falënderoi qeveritë e Norvegjisë, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Zvicrës, si dhe ekipet negociatore, për përkushtimin dhe bashkëpunimin gjatë procesit të negociatave.

Përfaqësuesit e shteteve të EFTA-s falënderuan kryeministrin Kurti për pritjen në Shtëpinë e Kosovës dhe rikonfirmuan mbështetjen për Republikën e Kosovës. Ata theksuan se marrëveshja do të fuqizojë jo vetëm fushën ekonomike, por edhe mirëbesimin dhe raportet sociale mes popujve.

Mes tjerash u tha se kjo është e vetmja marrëveshje që EFTA ka me një shtet që nuk është anëtar i Organizatës Botërore të Tregtisë.

Kosova nënshkruan marrëveshjen me EFTA-n

Në Shtëpinë e Zvicrës në Davos është nënshkruar Marrëveshja për Tregtinë e Lirë mes shteteve anëtare të EFTA-s dhe Republikës së Kosovës. Kryeministri, Albin Kurti ka thënë se këtu shënohet një kapitull i ri i përforocimit të raporteve ekonomike dhe avancimit të marrëdhënieve tregtare midis Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s.

“Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjitha shtetet anëtare të EFTA-s për bashkëpunimim e afërt gjatë procesit të negocimit. Marrëveshja që nënshkruajmë sot themelon një kornizë për marrëdhënie tregtare midis shteve të EFTA-s dhe Kosovës si dhe do të krijojë mundësi të reja, duke i dhënë Kosovës qasje në tregjet e EFTA-s”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se me këtë marrëveshje hapen mundësi të reja eksporti për bizneset tona dhe integrim më i thellë në kornizën ekonomike evropiane, duke i mundësuar Kosovës që të konkurrojë në një shkallë të gjerë.

“Kjo marrëveshje po ashtu reflekton përkushtimin tonë të përbashkët ndaj parimeve të demokracisë, sundimit të së drejtës, të drejtave të njeriut, mbrojtjes mjedisore, qeverisjes së mirë koorporative si dhe përgjegjësisë sociale koorporative. Kosova ka arritur progres impresiv në katër vitet e fundit, me një rritje konsistente ekonomike. Edhe pse rajoni ynë ka pasur kriza demokratike, Kosova qëndron si një prej vende më demokratike në 6-shen e Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar Kurti.

Ai ka shprehur bindjen se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime për bizneset, industritë dhe qytetarët e të gjitha vendeve.

E ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, Rozeta Hajdari, ka ftuar investitorët ndërkombëtarë që të shohin mundësitë për bashkëpunim me Kosovën. 

“Në këtë raund të negociatave, kemi bërë një rrugë të gjatë që nga qershori i vitit 2022. Këto negociata janë përmbyllur me një kapitull shumë të rëndësishëm për përforcim të mëtutjeshëm mes shteteve tona, me fillim nga tregtia e mallrave, shërbimeve, konkurrencës, të drejtave të procesit të zhvillimit të qëndrueshëm. Kosova shpejt po bëhet një destinacion shumë atraktiv për investime të huaja, me mundësi tejet të mëdha të zhvillimit, sidomos në teknologji informacioni dhe ofrim të shërbimeve”, ka thënë ministrja.

Kurti: Duam ta përshpejtojmë anëtarësimin në NATO

 Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova dëshiron ta përshpejtojë anëtarësimin e saj në NATO. Ai një deklaratë të tillë e bëri gjatë një paneli me ekonomistin Ricardo Hausmann nga universiteti i Harvardit, në Shtëpinë e Kosovës në Davos.

“Unë besoj që Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm dhe më i vlefshëm i paqes dhe koncept i prosperitetit në botë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne duam të hyjmë në BE dhe të anëtarësohemi në NATO, sepse duam edhe të përfitojmë edhe të kontribuojmë. Ka më shumë gjasa që të hyjmë së pari në NATO, derisa ballafaqohemi me agresionin rus në Ukrainë, që ka ndikuar edhe në Ballkan. Duam ta përshpejtojmë anëtarësimin tonë në NATO, por jo të limitohemi në përshpejtim drejt anëtarësimit në NATO, por edhe të fuqizohemi në vetvete. Ne kemi rritur buxhetin e mbrojtjes, që nga viti 2023 kemi përmbushur atë që quhet kuotë prej 2% të shteteve të NATO-s, që ka qenë zotim i përbashkët i Samitit të NATO-s në vitin 2014”, tha Kurti.

Kryeministri tutje ka theksuar se me anëtarësimin e Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian kthehet në Evropë.

“Hyrjen në NATO dhe BE e presim me padurim sepse ne jemi në Evropë, por Bashkimi Evropian duhet të jetë Evropë. Me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, BE do të jetë Evropë. Unë besoj që hyrja në BE dhe NATO është orientim parimor i bazuar në vlerë. Ne besojmë në demokraci, të drejta të njeriut, sundim të ligjit. Kjo përfaqëson diçka që për neve është përfituese në afatgjatë. Nuk besoj që gjenerata jonë mund të prodhoj diçka më mirë sesa Bashkimi Evropian”, ka thënë ai.

Kurti përmendi blerjen e raketave, helikopterëve dhe dronëve luftarak, rritjen e numrit të ushtarakëve dhe rritjen e numrit të moshës (nga 23 në 25) si mjete për fuqizimin e ushtrisë.

Kryeministri ka përmendur edhe marrjen e modelit të edukimit të sigurisë nga Polonia, ku nxënësit nga adoleshenca mësojnë për veprimet e nevojshme përballë katastrofave shtetërore apo të armatosura.

Kurti në panelin e Davosit: Kosova ka shënuar rritje ekonomike

Kryeministri e Kosovës, Albin Kurti aktualisht po merr pjesë në bashkëbisedim me ekonomistin Ricardo Hausmann nga universiteti i Harvardit, në Shtëpinë e Kosovës në Davos, me temën “Demokracitë e qëndrueshme në një epokë të ndryshimit” në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.

Kurti ka folur për sfidat e menaxhimit shtetëror, duke përfshirë pandeminë, inflacionin, krizën energjetike pas agresionit rus në Ukrainë, teksa ka theksuar se Kosova ka pasur rritje ekonomike, ku vitin e kaluar për herë të parë ka kaluar shifrën 10 miliardë euro

“Buxheti shtetëror vjetor është 50% më i madh sesa në vitin 2021. Kjo del nga një rritje impresive ekonomike, që mesatarisht ka qenë 6% e bruto produktit vendor, asnjëherë nuk ka rënë nën 4%.

Ekonomia e Kosovës vitin e kaluar për herë të parë ka kaluar 10 miliardë euro, eksportet kanë kaluar 1 miliardë euro dhe të ardhurat tatimore kanë kaluar 3 miliardë euro”, ka thënë Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat