Mbrojtësi i viktimave në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Simon Laws ka thënë se ata synojnë t’i thërrasin tre deri në katër dëshmitarë dhe se njëri prej tyre është ekspert.
Ai tha se këtë gjë synojnë a bëjnë brenda një jave eventualisht edhe javën e dytë, por pa e përfunduar në tërësi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ne mendojmë se do të thërrasim tre deri në katër dëshmitarë që do të vijnë këtu. Njëri prej tyre do të jetë ekspert… mendojmë që provat tona do mund t’i paraqesim brenda një jave dhe ndoshta mund të kalojmë edhe në javën e dytë por nuk ka mundësi që të jenë dy javë të plota. Por nuk jemi në gjendje që ta parashikojmë këtë pasi që nuk di se sa do të zgjasë edhe seanca e kundërpyetjes”, tha Laws.
Në anën tjetër, në konferencë u diskutua edhe për kërkesat e mundshme në bazë të rregullës 130 e cila parasheh se menjëherë pas mbylljes së provave nga ana e Prokurorisë, mbrojtja do të bëjë njoftimin për synimin që ka lidhur me rrëzimin e akuzave në aktakuzë.
“Jam konsultuar me koleget e mi të ekipeve të mbrojtjes, kemi nevojë për katër jave për të përgatitur mocionet tona të rregullës 130”, tha avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq.
Kryegjyqtari pyeti nëse ky afat ishte që nga koha kur të përfundojë provat Prokuroria, dhe kjo u pohua nga Mishetiq.
Kjo kërkesë e mbrojtjes për afat kohor prej një muaj për mocionet sipas rregullës 130 nuk u kundërshtua nga Prokuroria. Ngjashëm edhe ajo kërkoi një muaj kohë për t’u përgjigjur në mocionet e mbrojtjes.
Ndërsa, të pyetur se sa kohë iu duhen nga dalja e vendimit për rregullën 130 për t’u përgatitur për fillimin e paraqitjes së provave të tyre, mbrojtët e të akuzuarve të përfaqësuar nga Luka Mishetiq tha se iu duhen dhjetë javë.
“Mund të them edhe njëherë që i kam konsultuar katër ekipet e mbrojtjes dhe kërkojmë dhjetë javë pune dhe të mos përfshihen javët e pushimit veror. Arsyet janë të shumëta por një nga këto kanë të bëjnë me faktin që është vështirë për të marrë dëshmi dhe për të pyetur dëshmitarë gjatë pushimeve të verës”, tha kryegjyqtari.
Prokuroria tha se do ta rezervojnë qëndrimin e tyre sa i takon kësaj pjese.
Vlen të theksohet se kur prokuroria bëri njoftimin e saj se kur synon ta mbyll çështje, Rodney Dixon i cili përfaqëson Kadi Veselin kërkoi që ZPS-ja të urdhërohet që të jetë 4 prilli si datë përfundimtare për ata. Veç kësaj, sipas njoftimit të DhSK-së, ZPS-ja ka thënë se në periudhën shkurt-prill 2025 synon që t’i thërras edhe 11 dëshmitar.