Konjufca: Pa barazi mes burrave dhe grave, nuk ka shtet të barabartë

Aktuale

Konjufca: Pa barazi mes burrave dhe grave, nuk ka shtet të barabartë

Më: 22 janar 2025 Në ora: 19:52
Glauk Konjufca

Lëvizja Vetëvendosje e ka vazhduar fushatën elektorale në ditën e dymbëdhjetë të saj në Mitrovicë, aty ku takoi gratë e vajzat nga ky qytet.

Numri 2 i listës zgjedhore të LVV-së, Glauk Konjufca tha se do t’i kushtohet rëndësi barazisë mes grave dhe burrave, duke theksuar se me qeverinë Kurti, do të këtë rënie të rasteve të dhunës ndaj grave.

“Pa barazi mes burrave dhe grave, nuk mund të këtë shtet të barabartë. Qeveria Kurti ka qenë e përqendruar në forcim të kësaj shtylle. Me qeverinë Kurti, do të punojmë që të këtë rënie 100% të rasteve të dhunës ndaj grave”, theksoi ai.

Kandidatja për deputete, njëherësh edhe kryetare e Grupit të Grave të Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha se gratë dhe vajzat janë shtylla e shoqërisë. Ajo premtoi se gratë do të kenë përfaqësim edhe më të madh në pozita udhëheqëse.

“Sot jemi të bashkuara për një të ardhme sa më të mirë për gratë dhe vajzat që janë shtylla e shoqërisë. Në këtë kohë, roli i grave dhe vajzave është më i rëndësishëm se kurrë”, tha ajo.

Hekuran Murati nga kjo parti, tha se me qeverinë Kurti, do të lansohen edhe masa shtesë për punësimin e grave.

“Si qeveri progresive, që synim ka barazinë dhe fuqizimin ekonomik të grave, jemi kujdesur që me masat të mbështesim gratë. Përveç me masa për mbështetjen e tyre në studime, i kemi mbështetur ato edhe në punësim. Vetëm nga masa Superpuna, 50% e përfituesve janë gra. Në programin tonë, kemi paraparë edhe masat e punësimit për gratë që të rikthehen në vendin e tyre të punës përmes masës “Superpuna për gratë”, shtoi ai.

Kurse kandidatja për deputete Arjeta Fejza, tha se gruaja gjithmonë është prioritet i Lëvizjes.

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar të gjithë përkrahësit që të votojnë listën e tyre për sa më shumë gra e vajza kandidate.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat