Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka ndarë në një disa nga momentet më të paharrueshme dhe emocionuese gjatë procesit të negociatave për pavarësinë e Kosovës, të mbajtura në Vjenë nën udhëheqjen e Marti Ahtisaarit. Hoxhaj ishte pjesë e delegacionit kosovar në këtë proces historik, që përfundoi me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Gjatë rrëfimit të tij, kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj përshkroi një moment të veçantë kur një mërgimtar shqiptar, që punonte në Vjenë, u dha kurajë delegacionit kosovar.
“Takuam një shqiptar i cili punonte në Vjenë. E kishte një hillt dhe po na sheh neve, delegacionin tonë. E ndali hilltin dhe po na e bën: ‘Hej, allahile mos lëshoni pe.’ I thash mos ke gajle, në temë jemi,” rrëfeu Hoxhaj, duke përmendur edhe një dialog të shkurtër me të: “I thash ‘qysh po të dukemi?’, tha ‘e keni një barrë kogja të madhe’. I thash ‘po, por e kemi mbështetjen amerikane, mbështetjen evropiane’.:, tha Hoxhaj për Besim Dinën në emisionin “Oxygen”
Hoxhaj gjithashtu kujtoi një situatë interesante gjatë përgatitjeve për një fjalim të Hashim Thaçit, i cili udhëhiqte delegacionin.
“Ma patë dhënë Hashimi, si kryetar i partisë, një detyrë me ia shkruar fjalimin për Vjenë dhe e kisha shkruar fjalimin unë. Kur mbërrijmë në Vjenë, mendova që e ka marrë prej dhomës së hotelit fjalimin me veti, por s’e kishte marrë,” tha Hoxhaj, duke shtuar se në çastet e fundit u desh të kërkonte një printer për ta rishkruar dhe shtypur. Gjatë rrëfimit tregoi se shkoi për t’i kërkuar ndihmë zëvendësit të Marti Ahtisaarit, Albert Rohanit, por dicka interesante i ndodhi kur shkoi për ta shtypur sërish fjalimin.
“Ai kishte shtypur diçka para meje, se edhe amerikanët e kishin pas problemin e njëjtë. E shtypi ai fjalimin, e shtypa edhe unë,” tregoi Hoxhaj. “Kur e mora fjalimin e Hashimit, po shoh në dorë edhe një komunikatë. Ishte komunikata, para se të fillonte takimi, rreth produktit, rezultateve të takimit. Ende e kam atë tekst, dhe ky tekst tregon shembullin më të mirë se sa të vendosur ishin amerikanët, sa përnjëmend e kanë pasur George Bushi i ri dhe Washingtoni për ta pavarësuar Kosovën.”
Përfundimi i negociatave në Vjenë ishte një moment historik për Kosovën, ndërsa Hoxhaj theksoi përkushtimin dhe përpjekjet e gjithë ekipit që punoi për të arritur këtë qëllim të madh.