Koalicioni për Familjen e ka quajtur të bazë dhe të pa argumentuar gjobën nga PZAP që ka marrë të mërkurën për përdorimin e gjuhës së urrejtjes kundër komunitetit LGBTI+.
I pari i kësaj liste, Eman Rrahmani ka thënë se përveç se ky veprim është pa asnjë bazë, është edhe shkelje e të drejtave të angazhimit politik, ku sipas tij, cenon demokracinë dhe angazhimin e secilit që orientohet në kauza.
Në një konferencë për media lidhur me këtë, Rrahmani po ashtu tha se po bëhet koordinim që të minimizohet çështja e përfaqësimit të koalicionit për familje në vend.
Ndërsa ka përmendur edhe rastin e ndalimit të emitimit të spotit të Koalicionit për Familje nga transmetuesi publik. Sipas tij këto dy institucione kanë vepruar kundër dhe janë mirëkoordinuar nga gjithë ata që nuk dëshirojnë të shohin Koalicionin për Familjen në Kuvend.
Rrahmani: Vendimi i PZAP-së për dënimin e koalicionit tonë për familje është i pa bazë
Video:
“Janë dy arsyeje kryesore, është vendimi i PZAP-së për dënimin e koalicionit tonë për familje. Një veprim, përveç që është pa asnjë bazë ligjore dhe argumentim, është edhe shkelje e të drejtave të angazhimit politik të kujtdo qoftë në vendin tonë, ku cenon rëndë edhe demokracinë dhe angazhimin e secilit që orientohet në kauza dhe çështje të caktuara. Është tentativë e organizuar, për shkak se kemi pas veprime edhe të mëhershme. Duke filluar tek çështja tjetër, ndalesa e spotit tonë televiziv në Radio Televizionin Publik, pa ndonjë vendim as të KPM-së dhe as të PZAP-së, spoti i cili nuk përmban as gjuhë të urrejtës dhe nuk përmban as një shkelje të të drejtave të askujt. Këto dy veprime të njëpasnjëshme janë mirë të koordinuara, kanë frymën e njëjtë dhe kanë angazhimin e përbashkët edhe të atyre që kanë punuar për katër vite që të shtyhen këto ligje të cilat cenojnë rëndë familjen në përgjithësi. Por, ju bëjmë me dije të gjithëve që nuk mund të na ndalni kurrë gjuhen tonë, të drejtën e punës për një frymë e cila përputhet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky koalicion do të vazhdojë të angazhohet në këtë frymë”, tha Rrahmani.
Madje, ai ka thënë se ankesat që janë bërë vinë edhe prej organizatave që bazën e kanë në Serbi.
Rrahmani: Ankesat që janë bërë vinë nga organizata që bazën e kanë në Serbi
“Ankesat që janë bërë vinë madje edhe prej organizatave që në qoftë se hyni në historikun e tyre kanë edhe bazën jashtë vendit tonë. Janë organizata që janë të regjistruara në Serbi dhe jo në Kosovë dhe këtu kanë degët me të cilat veprojnë dhe bëjnë ankesat kryesisht që janë kundër agjendës e cila mbron familjen. Por, është me rendësi të ju garantojmë qytetarëve që të mos tërhiqen dhe dorëzohen para presioneve të tilla që nuk kanë të bëjnë me demokracinë... Neve në këtë dënim jemi ndëshkuar për dy fjalë të përdorura, në tubimin në Pejë që kemi mbajt, kam thënë që financimi i ANIBAR nga ana e Ministrisë dhe Komunës për të ju treguar pejaneve se çfarë është dashnia të martohen burrë me burrë është turp. Po ashtu edhe fjala e përdorur nga kolegu Fatmir Smajli, që është marre çfarë keni bërë. Natyrisht ne do të marrim gjitha hapat ligjor këtyre dy akterëve që kanë vepruar kundër”, shtoi Rrahmani.
Ndërsa, nuk ka përjashtuar mundësinë që këtu është e përfshirë edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Koalicioni për Familje ka marrë gjobën e parë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për “gjuhën e përdorur” ndaj LGBTI+ në tubimet zgjedhore.
Në vendimin e PZAP thuhet se gjoba e shqiptuar është 4 mijë e 500 euro.