Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kritikoi administratat Biden-Obama për ndikimin e tyre ndaj Kosovës, duke thënë se kanë vendosur Kosovën në një pozitë të disfavorshme ndaj Serbisë
Konjufcës i reagoi i dërguari për misione speciale i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, i cili e quajti këtë kritikë të vonuar.
“Ata kaluan 4 vitet e fundit duke komplimentuar Joe Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”, ka shkruar Grenell.
Ndërkohë, analisti Melazim Koci mbrojti rolin historik të Bidenit për Kosovën, duke përmendur mbështetjen e tij në vitet ’90, gjatë ndërhyrjes së NATO-s, shpalljen e pavarësisë dhe në legjitimimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës.
“Ishte pyetje (e Grenellit) drejtuar zotit Konjufca, i cili tha se Biden dhe Obama paskan dëmtuar prestigjin e Kosovës. Për mua, kjo është vërtet e pakuptueshme. Zoti Biden është politikani i fundit në Amerikë për të cilin mund të thuhet një gjë e tillë. Nuk dua të polemizoj, sepse është çështje faktesh, dhe faktet flasin vetë. Dua vetëm t’i përmbledh shkurtimisht në 3 ose 4 pika, të cilat e demantojnë në tërësi zotin Konjufca.
Janë katër senatorë dhe kongresmenë amerikanë, dy republikanë dhe dy demokratë, që nga viti 1990 kanë filluar betejën për Kosovën. Këta kanë qenë Bob Dole, Tom Lantos, John McKinney dhe Joe Biden. Në vitin 1992, me nismën e tyre, ish-presidenti Bush vendosi vijën e kuqe, duke i dërguar sinjal Serbisë se do të goditej ushtarakisht nëse sulmonte Kosovën. Në vitin 1999, këta katër, bashkë me Biden, ishin nismëtarët e intervenimit. Po ashtu, ata ishin ndër kryesorët në procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Gjatë mandatit Obama-Biden, Kosova fitoi seancën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për legjitimitetin e pavarësisë. E kam ndjekur këtë proces dhe e di angazhimin e jashtëzakonshëm amerikan. Të thuash tani që Biden paska goditur Kosovën është për mua një befasi e jashtëzakonshme.
Nëse Konjufca i referohet viteve të fundit, duhet theksuar se, edhe pse kishte luftë në Ukrainë që pengoi administratën amerikane, pasi Ukraina ishte prioritet dhe jo Kosova, ata gjithsesi gjetën forcë për të hartuar një marrëveshje franko-gjermane. Koha do të tregojë që ajo nuk ka qenë krejtësisht e pafavorshme për Kosovën. Nëse Kosova do ta zbatonte njëanshëm këtë marrëveshje, do të avanconte në organizatat ndërkombëtare, madje nuk përjashtohej as mundësia për anëtarësim në NATO”, ka thënë Koci në FIVE të Dukagjinit.