Bllokohen 120 banesa të strukturave paralele serbe në Zubin Potok, intervistohen disa persona

Aktuale

Bllokohen 120 banesa të strukturave paralele serbe në Zubin Potok, intervistohen disa persona

Më: 23 janar 2025 Në ora: 19:38
Foto ilustrim

Shiritat e sigurisë janë vendosur.

Në  tri blloqe banesore të ndërtuara me buxhet të Serbisë vite më parë, u vendosën familje të komunitetitserb në mënyrë të kundërligjshme dhe padijeninë e komunës së Zubin Potokut.

Tëvë1 ka raportuar më 27 nëntor të vitit 2024 se çelësat për shfrytëzim të banesave u ndanë në Rashkë gjatë natës, ku përfitues dhe përzgjedhës i familjeve është Sergjan Vulloviq i cili ka qenë ish-kryetar i komunës paralele serbe në Zubin Potok.

E këtë raportim u vë në lëvizje shteti.

“Banesat në këto blloqe janë marrë në mënyrë ilegale për të cilën tashmë kanë filluar hetimet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”

Kryetari i Zubin Potokut thotë se gjithçka u bë nën dirigjimin e Serbisë.

“Hetuesia është duke e kry punën e vet edhe Prokuroria, pres një informacion pas sqarimit të krejt situatës të kemi një informacion, më pastaj të shohim çfarë mund të bëjmë sepse nuk e dijmë as kush janë ata njerëz, as kush ka marrë çelsa, veç e dijmë një që këtu në bazë të informacioneve të qytetarëve që, është ish-sistemi paralel që ata e quajnë natyrisht nga ish-organet të komunës që kanë punuar sipas direktivave të Serbisë” , ka thënë kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Sipas tij, janë ndarë mbi 120 banesa në këto tri blloqe.

“Ka pas ankesa të ndryshme, po ndahen banesa për dikë që i ka dy-tri shtëpi, për shokë dhe rrjetet e tyre apo grupacionet. Nga 120 banesa mundet me qenë”, thotë ai.

E nga policia e Kosovës konfirmuan për Tëvë1 se tashmë janë intervistuar ish-kryetari i komunës paralele Sergjan Vulloviq dhe disa të tjerë përbërës të komisionit për ndarjen e banesave.

“Kemi shkuar aty paraprakisht me shikua çfarë po ndodh, kemi intervistuar disa njerëz si informacion kemi pas se është krijuar një komision prej tre personave për ndarjen e këtyre banesave. Kemi nisur hetimet edhe për ndërtesën,  pronën si është ndërtuar ajo në koordinim me prokurorinë janë vënë shiritat këtyre tri ndërtesave” , ka thënë zëvendës drejtori i PK-së për rajonin e veriut, Veton Elshani

Ai deklaroi se hetimi po bëhet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ka dyshime se kemi të bëjmë me keqpërdorim të detyrës zyrtare të ish-kryetarit që ka qenë aty i caktuar, për këtë arsyeje prokuroria e ka marrë masa për hetim të rastit”, thotë Elshani.

Kryetari i Zubin Potokut ka kërkuar që në këto banesa të futen familjet e cenueshme të cilat nuk kanë kushte të mira jetese, për çka ka bërë thirrje për aplikim.

Televizioni ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale por deri në publikimin e kësaj kronike, nuk kanë kthyer përgjigje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat