Numri dy i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala ka thënë se një qeveri e udhëhequr nga kjo parti, nuk do e miratojë asnjëherë draftin e Asociacionit.
Kjo pasi sipas tij, drafti i Asociacionit është një lloj draft-kushtetute.
“Ai është një detyrim ndërkombëtar i Kosovës, madje është detyrim kushtetues, sepse aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese ka vlerësuar se Asociacioni është pjesë e rendit kushtetues së Republikës së Kosovës. Çfarë do të bëjmë ne është që të ndërtojmë një lloj mekanizmi që nuk e cenon rendin kushtetues, dhe për këtë do të bisedojmë shumë. Zoti Kurti ka pranuar në parim një draft-statut, që s’ka të bëjë fare me procesin historik të negociatave për atë çështje, s’ka të bëjë fare me qëndrimet e Uashtingtonit, dhe nuk ka të bëjë fare me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por është një lloj draft-kushtetute që do të themelojë së pari anatominë politike”,tha Shala në “Rubikon”.
“Qëndrimi politik i Lidhjes Demokratike është që ai dokument në Kosovë nuk mund të implementohet asnjëherë, dhe një qeveri që drejton LDK-ja atë dokument nuk do ta miratojë. Ne e kemi refuzuar atë dokument. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje, të hartohet një dokument të ri”.