Gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës hodhën të premten kapelat e tyre dhe u betuan përmes një ceremonie. Bëhet fjalë për 462 policë të rinj që pritet të kontribuojnë në sundimin e rendit dhe ligjit. Prej tyre 56 janë vajza dhe gra.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Policia e Kosovës është një nga shtyllat kryesore të shtetit duke garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit.
Në ceremoninë e diplomimit, Osmani u shpreh se “krenaria sot është jashtëzakonshme sepse atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë që do t’i dalin zot atdheut tonë”.
Ajo tha se Policia e Kosovës është mburoja e paqes dhe lirisë.
Osmani potencoi se policët janë shtylla e parë e rendit dhe garantuesja e lirisë së secilit qytetar pavarësisht përkatësisë.
Osmani: Policia e Kosovës janë mburoja e paqes dhe e lirisë për të cilën populli ynë ka sakrifikuar për
"Rendi dhe siguria janë themeli i një shoqërie të suksesshme. Ndërkaq, këta djem e vajza që kujdesen për rendin dhe sigurinë tonë janë mburoja e paqes dhe e lirisë për të cilën populli ynë ka sakrifikuar për shekuj të tërë. Kjo përkufizon më së miri rolin e Policisë së Kosovës, një institucion që nuk është vetëm zbatues i ligjit, por është mbrojtëse dhe garantuese e lirisë për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës pa dallim. Ky është një moment i jashtëzakonshëm për vajzat dhe djemtë që prej sot bëhen pjesë e njërës nga institucionet më të rëndësishme, më të respektuara dhe më të besueshme të republikës sonë. Me diplomimin e gjeneratës së 61-të ky institucion fuqizohet edhe më shumë duke u pasuruar me një brez të ri që sjell më shumë energji, përkushtim dhe një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë ndaj atdheut", u shpreh Osmani.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate të Policisë së Kosovës e tregon strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit tonë.
Ai potencoi se 462 pjesëtarë të rinj i janë bashkuar Policisë së Kosovës, prej tyre 406 djem e burra dhe 56 vajza e gra.
Kurti tha se zotimi i kësaj qeverie për 2 mijë policë të rinj është përmbushur dhe po tejkalohet.
Kurti: Nuk ka rrugë më të drejtpërdrejt sesa ta veshësh uniformën policore
“Nuk ka rrugë më të drejtpërdrejt sesa ta veshësh uniformën policore dhe ta marrësh përsipër tu përgjigjesh nevojave dhe thirrjeve të përditshme të qytetarëve...Strukturat gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate kadetësh që nga sot që po bëhen policë e tregon edhe vetë strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit tonë. Në gjeneratën e 61-të po diplomohen sot gjithsej 462 pjesëtarë të rinj të policisë, prej të cilëve 406 djem dhe burra dhe 56 vajza dhe gra. Nga kjo gjeneratë 343 pjesëtarë janë shqiptarë, 79 janë serb, 23 boshnjak, 6 turq, 6 egjiptianë, 3 ashkali dhe 2 pjesëtarë janë rom. Dua ta shpreh një urim dhe inkurajim të veçantë, dy javë më parë nga 10 janar kemi shpallur vitin 2025 vitin e grave...Nga sot po bëhen 1303 zyrtare policore meqë atyre po u shtihen edhe 56 police të reja...Dua t’i ftoj të gjitha vajzat dhe gratë e Kosovës që kanë dëshirë dhe janë të gatshme t’i shërbejnë vendit si dhe atyre përfytyrojnë veten si police të aplikojnë në konkurset e Ministrisë së Brendshme për ta jetësuar këtë ëndërr”, tha Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se diplomimi i kësaj gjenerate është hap i rëndësishëm për Policinë e Kosovës dhe republikën e vendit tonë.
Sveçla u shpreh se diplomimi i gjeneratës së 61-të, bën që Policia e Kosovës do të më e fortë dhe shteti ynë më i sigurt.
Sveçla: Policia e Kosovës do të jetë më e fortë e republika jonë edhe më e sigurt
“Me rastin e diplomimit të djemve dhe vajzave tona, të gjeneratës së 61-të, Policia e Kosovës do të jetë më e fortë e republika jonë edhe më e sigurt. Falë punës së pandalshme dhe profesionale të Policisë tonë, Republika e Kosovës sot renditet e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të rendit dhe ligjit sipas projektit botëror për drejtësi...Përgjatë këtij rrugëtimi do të takoni e do të ndani përvoja me kolegët dhe eprorët tuaj të cilët viteve të fundit kanë qenë shembullor në detyrën e tyre. Në garantimin e sundimit të rendit dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Puna juaj me ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi do të forcojë edhe më shumë themelin kryesor të Policisë së Kosovës e që është integriteti. Shumë të respektuara vajza që i jeni bashkuar Policisë së Kosovës u jam mirënjohës vullnetit tuaj për t’i shërbyer vendit dhe shoqërisë sonë, pavarësisht çdo sfide. Ju jeni shtylla e fortë dhe e qëndrueshme e Policisë së Kosovës”, tha Sveçla.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës , Gazmend Hoxha u shpreh se ky institucion është një organizatë multietnike që reflekton përbërjen etnike të shoqërisë kosovare.
Ai u drejtua policëve të rinj duke u thënë se sfidat do të jenë të shumta dhe se nuk do të jetë rrugë e lehtë.
Hoxha potencoi se sipas hulumtimeve viteve të fundit del se Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm i Republikës së Kosovës, duke shtuar se kjo shton edhe me shumë përgjegjësinë e tyre.
Hoxha: Policia e Kosovës ka shumë sfida dhe shumë objektiva
“Policia e Kosovës është një organizatë profesionale multietnike që reflekton përbërjen etnike të shoqërisë kosovare. 89 për qind e personelit tonë janë të përbërë shqiptarët ndërsa pjesa tjetër nga grupet etnike që jetojnë në Kosovë. 30:40 Policia e Kosovës ka shumë sfida dhe po ashtu ka shumë objektiva. Ne kemi arritur me sukses që objektivat tona, prioritete tona t'i zbatojmë, duke garantuar rend dhe ligj në çdo pjesë të Republikës ë Kosovës. Duke qenë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe duke fituar zemrat dhe mendjet e qytetarë e tonë, duke fituar besimin e tyre. Në të gjitha hulumtime të viteve të fundit del se është institucioni më i besueshëm në Kosovë. Andaj, do të jetë goxha e vështirë dhe na duhet goxha shumë punë si menaxhment dhe juve si polici që të punojmë shumë", tha ai.
Ndërkaq, zëdhënësi i gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës, Granit Kosumi u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përpjekjeve për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin.
Kosumi: Zotohemi se do t’i zbatojmë parimet udhëzuese përmes të cilave udhëhiqet polica
"Ky moment është një dëshmi e përkushtimit dhe përpjekjeve tona për të përmbushur dhe dinjitet detyrat dhe përgjegjësitë që na presin...Ne kemi mësuar se si të përballemi me sfida dhe si të kontribuojmë në mënyrë efektive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Zotohemi se do t’i zbatojmë parimet udhëzuese përmes të cilave udhëhiqet polica", tha Kosumi.