Befason Jashari: Serbia ka filluar të ndajë dinarë për serbët e papunë në Kosovë

Aktuale

Befason Jashari: Serbia ka filluar të ndajë dinarë për serbët e papunë në Kosovë

Më: 24 janar 2025 Në ora: 15:13
Arbër Jashari

Avokati, Arbër Jashari ka thënë se Qeveria e Serbisë ka filluar të ndajë 20 mijë dinar (rreth 170 euro) për 5 mijë serbë të papunë në Kosovë.

Sipas Jasharit, këto mjete ndahen për mbështetje financiare dhe sipas tij ky veprim vjen në kohën kur Kosova është duke zhvilluar fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, ku po marrin pjesë edhe subjektet politike nga radhët e komunitetit serb.

Tutje, ai tha se kjo qasje e Serbisë “duket të jetë një tendencë për të ndikuar tek votuesit serbë të Kosovës, në favor të subjektit politik “Lista Serbska”, e cila gëzon përkrahje të hapur nga Qeveria e Beogradit, por që popullariteti saj tek pjestaret e komunitetit më të madh pakicë në vend, kohëve të fundit ka pësuar rënie”, ka thënë Jashari.

Ndërkaq, ai thotë se komunitetet pakicë e kanë mundësinë që vullnetin e tyre politik të materializojnë me votë, për subjektet dhe kandidatët që ata i simpatizojnë.

“Një perpjekje e tillë, dëmton rëndë procesin zgjedhor, si një instrument shumë i rëndësishëm demokratik. Demokracia është e plotë vetëm kur edhe komunitetet pakicë, e kanë mundësinë që lirisht, të pandikuar dhe të pamanipuluar, vullnetin e tyre politik ta materializojnë me votë, për subjektet dhe kandidatët që ata i simpatizojnë”, shtoi ai.

Ndryshe, ish-deputeti serb, Dragan Shormaz, nga partia e Aleksandër Vuçiq, ka akuzuar presidentin serb se ka shpërndarë para për 5000 serbë në Kosovë për ta votuar Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Ai e ka quajtur njëri të poshtër Vuçiqin dhe ka thënë se Lista Serbe është e përbërë nga njerëz të paaftë.

“Aleksander Vuçiq luan gjithmonë shtrembër! Tash në mes të fushatës ka lëshuar para për 5000 serbë në Kosovë dhe kushti për ato para me siguri do të jetë që të votojnë “Listën Serbe”, e cila është e përbërë nga të paaftë të dëshmuar! Të shohim si do të arrijnë ato para në Kosovë?!”, ka shkruar ai në Facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat