​Supremja përmbylli vitin me shkallë efikasiteti prej 92.43 për qind

Aktuale

​Supremja përmbylli vitin me shkallë efikasiteti prej 92.43 për qind

Më: 24 janar 2025 Në ora: 16:34
Gjykata Supreme

Gjykata Supreme e Kosovës e ka përmbyllur vitin 2024 me një shkallë e lartë efikasiteti në zgjidhjen e çështjeve duke rezultuar me 92.43 për qind, (përqindje kjo e kalkuluar duke llogaritur numrin e lëndëve të pranuara dhe atyre të zgjidhura, gjatë vitit.

Sipas komunikatës, në total, gjatë vitit 2024 janë kryer 2.187 lëndë derisa të pakryera rezultojnë vetëm 391 lëndë, ku përfshihen numër i madh i lëndëve të pranuara në fund të vitit – në një numër prej 649 sosh.

“Gjatë tërë vitit janë pranuar 2.366 lëndë të reja, derisa gjithsej në punë kanë qenë 2.578 lëndë. Viti 2024 shënon lansimin e Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për matjen e dënimit, pas përfundimit të procesit të revidimit të tij dhe publikimin e dy përmbledhjeve; Përmbledhjen nga praktika e Gjykatës Supreme në çështje civile dhe penale, dhe Përmbledhjen me vendime të përzgjedhura të Gjykatës Supreme të Kosovës. Po ashtu, gjatë vitit 2024 me një ceremoni solemne është shënuar gjashtëdhjetë-vjetori i themelimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, si ngjarje e cila i ka paraprirë Konferencës së 14-të të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila u organizua nga Gjykata Supreme e Kosovës me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor dhe USAID e INL. Viti 2024 përfshin edhe një varg aktivitetesh tjera me rëndësi, mes tyre konferenca punëtori, vizita jashtë vendit, vizita të delegacioneve të ndryshme në Gjykatë Supreme, përfshirë vizita të studentëve, nxënësve etj. Viti 2024 shënon plotësimin e organogramit të Gjykatës Supreme me 19 pozita të parapara për gjyqtarë. Ndërkohë, kur bëhet fjalë për transparencën e Gjykatës Supreme gjatë vitit 2024, vlen të theksohet se gjatë vitit janë trajtuar 154 kërkesa për qasje në informacion dhe në dokumente publike, vetëm 7 prej tyre janë refuzuar, konform dispozitave të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. Janë publikuar 4.478 aktgjykime dhe aktvendime, prej tyre 1.686 vendime të Gjykatës Supreme dhe 2.792 vendime të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, ndërsa bazuar në Ligjin nr. 06/L - 057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, janë pranuar gjashtëmbëdhjetë (16) ankesa të palëve, për 14 prej tyre është vendosur brenda afateve ligjore, derisa dy (2) prej tyre janë në punë. Vendimet disiplinore janë të publikuara në ueb-faqen e Gjykatës Supreme. Gjatë vitit 2024 janë mbajtur dy seanca të përgjithshme, me pjesëmarrje të të gjithë gjyqtarëve, përfshirë ata nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës”, thuhet në komunikatë.

Të dhënat statistikore dhe të gjitha aktivitetet gjatë vitit 2024, janë përmbledhur në raportin vjetor të punës së Gjykatës Supreme, i cili është miratuar në Seancën e përgjithshme të Gjykatës Supreme, të mbajtur me 9 janar 2025, si dhe në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të mbajtur me datë 23 janar, pas raportimit të kryetarit të gjykatës, Fejzullah Rexhepi. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat