Si shef i CIA-s, u konfirmua John Ratcliffe që vlerësohet si mik i shqiptarëve.
Kjo pasi në vitet e mëhershme kishte marrë pjesë në disa organizime të shqiptarëve në SHBA.
Megjithatë, pritjet nga ai në raport me Kosovën, konsiderohet se duhet të jenë në një masë të konsiderueshme.
“Duhet të kemi pritje brenda të arsyeshmes nga emërimi i drejtorit të ri të CIA-s, nga i cili mendohet të ketë një afinitet pozitiv ndaj komunitetit shqiptar në përgjithësi. Dhe kjo jo për shkak të miqësisë në kuptimin klasik që mund të ketë preferenca ndaj një pale, por për shkak se llogaritet se shefi i CIA-s, e njeh në thelb tërë gjeopolitikën në këtë pjesë të Evropës”, tha avokati, Valdet Hoxha për tëvë1.
Ndryshime me ardhjen e Ratcliffe, llogariten të jenë të aspektit të bashkëpunimit mes agjencive të inteligjencës.
“Do të ketë bashkëpunim të ngushtë me agjencionet e inteligjencës edhe të Kosovës, por edhe të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që t’i koordinojnë bashkëpunimin mes tyre, informacionet e ndryshme të përbashkëta. Gjithashtu, në tërësi ardhja e tij në krye të CIA-s ndikon edhe në bashkëpunimin dhe strategjinë e SHBA-së, sidomos strategjisë së jashtme në raport me Kosovën dhe shtetet e tjera”, tha ish-koloneli, Refki Morina.
Ratcliffe ishte angazhuar edhe në fund të mandatit të parë të Trump si president i ShBA-së, si drejtor i Inteligjencës Kombëtare.