Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza ka thënë se Kamenica do të lidhet me autostradë dhe se do të ketë ndërtohet zona e lirë ekonomike te Dheu i Bardhë.
Ai këto premtime i bëri sonte në një tubim elektoral në Kamenicë, të cilin e quajti qytet të pasurive nëntokësore dhe ndërmarrësve të suksesshëm, por edhe qytet i energjisë së ripërtërirë dhe inovacionit.
Hamza: Jam në Kamenicë, në mesin e shumë kontribuuesve për liri dhe pavarësi
“Jam këtu në Kamenicën e Metush Krasniqit, jam këtu në Kamenicën e Kadri Zekës, jam sonte këtu në mesin e shumë patriotëve dhe kontribut-dhënëse për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës gjatë gjithë fazave të historisë”, u shpreh Hamza.
Po ashtu, Hamza premtoi edhe rritjen e pensioneve kontribut-dhënëse dhe atyre të familjeve me asistencë sociale.
Hamza: Do të rrisim pensionet kontribut-dhënëse dhe familjeve me asistencë
“Invalidët e luftës asnjëherë nuk do të bëhen me mungesën e përkujdesjes shëndetësor dhe përkrahjes së institucioneve në trajtimin e tyre shëndetësor... do të rrisim edhe pensionet kontribut-dhënëse edhe pensionet e familjeve me asistencë sociale, pensionet e parakohshme të Trepçës, TMK-së, FSK-së, të gjithë atyre që realizojnë pagesa përmes buxhetit të Kosovës”, tha ai.
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza u zotua se gjatë qeverisjes së tij Kamenica do të lidhet me autostradë.
Hamza: Kamenica do të lidhet me autostradë
“Autostrada për Gjilan do të përfundohet, por jo në Gjilan, te Dheu i Bardhë, lidhja e korridoreve ndërkombëtare. Kamenica do të lidhet me autostradë... do të ndërtohet zona e lirë ekonomike te Dheu i Bardhë me qëllim strategjik që t’i lidhë dhe t’i punësojë njerëzit edhe nga Kamenica, edhe nga Gjilani, por edhe nga Lugina e Preshevës që njerëzit të kenë vende të punës, por të qëndrojnë në vendet e tyre”, u shpreh Hamza.
Më 11 janar ka nisur fushata e partive politike për zgjedhjet e 9 shkurtit, të cilat mbahen për herë të parë të rregullta në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë.