Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se gjatë periudhës 2021-2023, vendi ynë ka përfituar 8.7 milionë euro nga pjesëmarrja në programet e Bashkimit Evropian.
Bislimi po ashtu ka pohuar se për periudhën financiare 2021-2027, Kosova aktualisht merr pjesë në 9 programe të BE-së, duke kontribuar në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm.
Në postimin e bërë në profilin e tij në Facebook, ai ka përmendur sektorët.
“Erasmus+ – Mbështetje për arsim, trajnim, rini dhe sport. Horizon Europe – Financim për kërkime dhe inovacion shkencor. Europa Kreative – Përkrahje për kulturën. Tregu i Përbashkët –Mbrojtje e konsumatorëve dhe siguri ushqimore. CERV – Promovim i të drejtave qytetare dhe barazisë. Evropa Digjitale – Transformimi digjital dhe siguri kibernetike. Drejtësia – Forcimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit. Fiscalis dhe Dogana – Modernizimi dhe harmonizimi i administratës tatimore dhe doganore me standardet e BE-së”, ka theksuar ai.
Mes tjerash, ai ka deklaruar se “me një kontribut prej vetëm 1.9 milionë euro, kthimi i investimit ka tejkaluar 300%, duke sjellë përfitime konkrete për institucionet publike në përmirësimin e shërbimeve dhe harmonizimin me BE-në e institucionet arsimore dhe qendrat kërkimore në grante për kërkime dhe mobilitet”.
“Gjersa për OJQ-të më shumë mbështetje për të drejtat e njeriut dhe zhvillim kulturor, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme financim për inovacion dhe konkurrueshmëri, e për qytetarët e të rinjtë bursa, mobilitet dhe trajnime profesionale.
Nga viti 2025 përfitimet pritet të rriten falë marrëveshjeve të reja të ratifikuara për programe si CERV, Evropa Digjitale dhe Tregu i Vetëm. Ky sukses pasqyron përkushtimin e Kosovës në rrugën evropiane dhe përfitimin nga mundësitë e integrimit”, shtoi tutje ai.