Koalicioni i organizatave jo-qeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) në një konferencë për media ka paraqitur të dhënat lidhur me mbarëvajtjen e javës së dytë të fushatës zgjedhore, mbulimin medial, gjuhen e urrejtjes dhe shpenzimet në rrjetet sociale.
Hulumtuesja në DNV, Violeta Haxholli tha se mbetet shqetësuese përdorimi i gjuhës së urrejtjes në tubimet elektorale nga subjektet politike.
Ajo tregoi se gjatë dy javëve të fundit, në 62 tubime elektorale është vërejtur përdorimi i gjuhës diskriminuese, nxitëse dhe të urrejtjes, duke prirë me 25 për qind Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 20 për qind.
Haxholli potencoi se që nga 11 janari janë mbajtur 377 tubime publike, derisa prin LDK-ja me 109 aktivitete, PDK-ja me 106, Lëvizja Vetëvendosje me 71 dhe AAK-ja me 54.
Ajo shtoi se ka interesim mesatar të pjesëmarrjes së qytetarëve nëpër tubime.
Ndërkaq, Rezarta Krasniqi nga DNV tha se ka rritje të lartë komenteve që përmbajnë gjuhë të urrejtjes.
Ajo potencoi se pjesëmarrja e grave në fushatë elektorale vazhdon të mbetet e ulët.
Përveç këtyre, në konferencë u tha se shuma e sponzorizimeve në rrjete sociale nga subjektet politike po vazhdon të rritet.
Nga 200 postime të bëra nga subjektet politike, kanë shpenzuar rreth 42 mijë euro shpenzime, dyfish më shumë se javën e parë.
Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku prin me shpenzime për sponzorimizim me mbi 7 mijë euro. Pasuar nga kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza me rreth 7 mije euro.