Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut, ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka punuar sa duhet për arsimin dhe sindikalistët.
Në tryezën “Fuqizimi i kapaciteteve të sindikatave të Kosovës për të përballuar sfidat e demokracisë sociale”, ai ka thënë se qeveria e ardhshme duhet të zgjedh mes dialogut dhe protestave me sindikalistët.
“Në vend që të mësojmë të gjithë nga greva e shtatorit 2022 ata haptazi i shpallën luftë sindikatave. Edhe tek ministritë, besoj pajtoheni, se nuk i kemi punët mirë, ngase e kanë shkollën e njëjtë e Kurtit dhe i kanë mbyllur dyert për dialog”.
“Premtimet për digjitalizim nuk u bënë kurrë, as nuk u bënë kushtet e punës, ne punojmë me shkumës dhe shpuzë dhe pastaj na qesin atje në shenjë për të na gjuajtur populli fjalë. Sepse më shkumës dhe shpuzë e kemi të vështirë të bëjmë gara për dije me Gjermaninë dhe shtetet tjera”.
“Pra si SBAShK, katër vitet i kemi vlerësuar si vitet më të vështira. I mbetet qeverisë që vjen të zgjedh dialog apo protesta dhe greva”, ka thënë Jasharaj.