Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se është e papranueshme kur dëgjon ende për dhunë ndaj grave e dhunë në familje.
Tha se flet si një burrë që ka pasur mbështetje të vazhdueshme nga bashkëshortja, e një baba që ka tre fëmijë, dy vajza e një djalë, porse përkrahjen më të madhe e ka për vajzat. Tha se çdo grua në Kosovë do të jetë e përkrahur, e sigurt dhe me mundësi të barabarta.
“Tash ju flas si një burrë falënderues ndaj bashkëshortes time Remes, e cila më ka mbështetur dhe vazhdon të më mbështetë në çdo sfidë të jetës time, për më shumë se 35 vjet. Do të ju flas edhe si baba i dy vajzave, që i dua shumë. Dhe të them të drejtën unë jam prind i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali. Për nga dashuria nuk mundem t’i ndajë, i dua të tre, por për nga përkrahja i dalloj, sepse i përkrahi vajzat më shumë”, thotë Hamza gjatë një takimi me gra në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai tha se zotimi i tij është zero tolerancë për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.
“Kur dëgjoj për një grua që përballet me dhunë në familje, kjo është e papranueshme. Premtimi dhe zotimi im është i qartë, zero tolerancë për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje”, deklaroi ai.