Kandidati i Partisë Demokratike e Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza nga Peja, vend ku mbajti tubimin e radhës elektoral, premtoi rritje pagash, investime në infrastrukturë e zhvillim ekonomik. Ai para simpatizantëve të PDK-së tha se nuk ka shtet të zhvilluar ekonomikisht pa ndërmarrës të suksesshëm.
“Ne do të mbështesim bizneset që të kenë një ambient më të mirë sepse ata punojnë për vete dhe krijojnë vende pune e zhvillojnë ekonominë në vend. Do të ketë reforma edhe në politika fiskale edhe lehtësime që do të jenë në përkrahje të bizneseve me qëllim të hapjes së vendeve të punës pasi ky është edhe fokusi ynë që punëtorët të kenë paga të dinjitetshme. Ne do ta krijojmë fondin që dikush që humb vendin e punës të ketë mundësi të merr deri në 80% të pagës që ka pas për 6 muaj deri sa të gjej punën tjetër", ka premtuar ai.
Ka treguar se në programin e tij, qeverisës, parashihen investime në sektorin e shëndetësisë e reforma në arsim.
"Edhe për infermier edhe për mjek edhe për mësues do të rrisim pagat në fillim të mandatit. Në muajt e parë të mandatit. Pensionet e moshës do ti rrisim për 70%. Ne jemi të kujdesshëm për familjet meritore për lirinë e Kosovës dhe familjeve të kategorive të dala nga lufta do të ju rriten shtesat”, tha ai
Hamza ka thënë se do të bëjnë reforma në shëndetësi, do të dyfishojmë buxhetin për barna, do të ndajnë çdo vit bursa. Ndërkaq mbi 6 miliard do të jenë në dispozicion për investime kapitale që do ta transformojnë Kosovën.
Ndërsa kandidati për deputet i kësaj nga kjo komunë, Xhavit Haliti, ka kërkuar votën e pejanëve që të mundësohet zhvillimi infrastrukturor sipas programit të PDK-së derisa janë prezantuar edhe kandidatët për deputet të këtij subjekti.