Gazetari i medias gjermane, Deustche Welle, Bahri Cani, ka komentuar zgjedhjet në Gjermani, Kosovë dhe Shqipëri, ku ka treguar dallimet e fushatave mes tyre.
Ai në një postim në Facebook u shpreh se zgjedhjet në këto vende dallojnë shumë, ku përmendi edhe disa segmente në këtë pjesë.
“Këtë vit do të kemi zgjedhje në Kosovë me 9 Shkurt, në Gjermani me 23 Shkurt dhe në Shqipëri me 11 Maj. Por zgjedhjet në këto vende dallojnë shumë të paktën në disa segmente, si në sondazhe, tubime, rolin e mërgatës si dhe koalicione e përgjegjësi”, shkroi ndër të tjera Cani, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Kosova, Shqipëria dhe Gjermania - dallimet në fushata…
Këtë vit do të kemi zgjedhje në Kosovë me 9 Shkurt, në Gjermani me 23 Shkurt dhe në Shqipëri me 11 Maj. Por zgjedhjet në këto vende dallojnë shumë të paktën në disa segmente, si në sondazhe, tubime, rolin e mërgatës si dhe koalicione e përgjegjësi. Në Kosovë janë bërë dhe po bëhen sondazhe të shumta partiake të brendshme (me të cilat pjesërisht jam njoftuar edhe unë) por edhe nga agjenci të cilat jo giithmonë kanë pasur të drejtë në parashikime. Ndaj dyshohet se ato jepin ndonjë parashikim krejt real të gjendjes. Në Kosovë po shohim edhe tubime të mëdha, të cilat sipas mendimit tim, po ashtu nuk japin ndonjë pasqyrë krejt reale. Ato janë një indicie shumë e mirë, por jo edhe tepër e sigurt, sepse në shumë tubime shkojnë edhe njerëz të njëjtë. Sa i përket mërgatës, ajo prapë mund të luajë rol vendimtar në Kosovë. Për dallim prej Kosovës, sondazhet në Gjermani janë më të sakta. Parashikimet e tyre shpesh realizohen dhe sipas tyre CDU/CSU është akualisht e para, AfD e dyta, pastaj vijnë SPD dhe ekologjistët… Sa i përket tubimeve, në Gjermani ato janë shpesh më të vogla dhe me më pak emocione. Ndërsa mërgata gjermane nuk luan pothuajse kurrfarë roli në zgjedhje.
Sa për Shqipërinë, ka kohë akoma, por edhe atje priten tubime të mëdha dhe një rol i konsideruar i mërgatës. E në këto tri vende ka dhe një dallim interesant. Në Gjermani ka pasur dhe do të ketë koalicion, ndaj edhe meritat dhe përgjegjësitë janë të ndara. Në Kosovë dhe Shqipëri LVV dhe PS kanë aktualisht shumicën absolute dhe kanë mundur të qeverisin pa pengesa ndaj edhe mund të marrin për vete të gjitha sukseset por janë përgjegjëse edhe për dështimet.