Lëvizja Vetëvendosje të dielën mbajti tubim elektoral në Junik.
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti gjatë takimit me qytetarët e Junikut, u premtoi investime në infrastrukturë dhe investime në ushtri.
“Juniku është unik sikurse edhe koalicioni jonë. Juniku është krenaria e shqiptarisë. Juniku nuk është i rëndësishëm vetëm për historinë e Kosovës por edhe për bujqësinë e ekonominë tonë. Me mbi gjysmë milioni euro i kemi mbështetur bujqit me grande. 10 milionë euro në rrugë e shkolla, çerdhe e ndriçim publik në Junik. Ne e duam Junikun dhe këtë e mbështesim me investime buxhetore. Kemi investuar në projektin Junik-Gjeravicë dhe do ta vazhdojmë ta mbështesim këtë investim. Kemi dyfishuar numrin e ushtarëve dhe atij për armatim. Në katër vitet në vijim do të kemi 1 miliardë euro për ushtrinë, drona e armatim”, theksoi ai.
Donika Gërvalla nga Lista Guxo, tha se Juniku ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Kosovës. Ajo theksoi se ka ardhur koha që Junikut t’u kthehen investimet për një të ardhme më të mirë.
“Edhe pse Juniku ishte i shkatërruar gjatë luftës, u munduam që atë ta ndërtojmë dhe do ta ndërtojmë në katër vitet e ardhshme. Juniku mbahet mend si nyja kryesore me furnizim gjatë luftës dhe kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Juniku ka nevojë për zhvillim ekonomik të shpejtë dhe shtëpitë e zbrazëta t’i mbushim me jetë, sportistët t’i sjellim në Kosovë dhe të ardhmen ta ndërtojnë në Kosovë”, tha ajo.
Ndërsa, kandidati për deputet nga ky koalicion, Nezir Kraki, tha se Juniku do të rreshtohet drejt vizionit të Lëvizjes Vetëvendosje.