Kandidati për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese Ramush Haradinaj është zotuar se nën qeverisjen e tij vendi ynë do të anëtarësohet në strukturat euro-atlantike teksa nuk ka lënë pa kritikuar kryeministrin Albin Kurti për prishje të raporteve me ndërkombëtarët dhe qasje jo të mirë ndaj vlerave të luftës.
Haradinaj gjatë tubimit elektoral sot në Malishevë tha se Albin Kurti po sillet si bukëpërmbys dhe se po përdorë dëshmorët e luftës në emër të votës.
Haradinaj: A ka më pafytyrësi se të vijë Albin Kurti dhe t’ju flasë për UÇK-në?
“A ka diçka pas NATO-s, kur je anëtar i NATO-s, bëhesh edhe anëtar i OKB-së edhe i BE-së dhe zhvillohesh ekonomikisht dhe të donë se je i tyre, e jo si ky që po sillet si me qenë bukëpërmbys, si me qenë i atyre që nuk e dinë se i kujt është. Ai që ka ardhur dje e lexon emrat e dëshmorëve këtu, si ka fytyrë, sa herë ka ardhur në varrezat e juaja, dje ka ardhur me një votë, ua lexon emrat. Duhesh të jesh shumë i pafytyrë të guxosh t’i shikosh njerëzit në sy për t’iu dalë përballë dhe të lexosh emrat e dëshmorëve që ke ardhur me marrë votën. Ia kemi dhënë votën para katër vjetësh, 50 për qind. A mund të tregoni se çfarë ka bërë ai në Malishevë? Si erdhi dje? Pas katër vjetësh thoshte se ua bëjë ujin. Po ku ishe që katër vjet bre, nuk e di se çka të qoftë! A ka më pafytyrësi se të vijë ai (Kurti) dhe t’ju flasë për UÇK-në?”, tha Haradinaj.
Kryetari i NISMA, Fatmir Limaj, ka kritikuar qeverisjen aktuale se ka lënë pas dore kategoritë e dala nga lufta, përfshirë edhe invalidët e luftës.
Limaj: Qeveria Kurti ua ka ndalë trajtimin invalidëve të luftës
“Tash e katër vjet, invalidët tanë shëtitën nëpër zyre, maltretohen nga ata ministra, që ne i quanim mercenarë, ka plot këtu burra, djem, të cilët kanë nevojë për rehabilitim mjekësor. Dikur, e çdo vit, sipas rekomandimit mjekësor, ata duhet, e kanë nevojë të rehabilitohen çdo vit në banja shëruese. Tash e katër vjet, kjo qeverisje ua ka ndalë trajtimin, mundësinë për të ndërruar protezat e tyre, ato gjymtyrë që dhanë për Kosovën dhe vinë këtu e lexojnë, e shpifin e tallen me gjënë më të rëndësishme të kombit tonë”, tha Limaj.
Edhe kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati ka drejtuar kritika ndaj qeverisjes Kurti.
Kastrati: Për katër vjet u injoruam dhe u përbuzëm nga Qeveria Kurti
“Për katër vjet ne u injoruam, u përbuzëm, u përballëm me një tretman jo njerëzor nga kjo qeveri, nga këta njerëz që erdhën na mashtruan dhe më pas ikën, nuk i pamë më as në fshatra dhe as në qytetin tonë kurrë”, tha Kastrati.
Përveç kritikave ndaj qeverisë aktuale, Haradinaj pati edhe premtime për zhvillim ekonomik, investime në shëndetësi, arsim dhe rritje pagash.