Koalicioni “Për Kosovën Fituese”, ka vazhduar fushatën elektorale para përkrahësve në Malishevë. Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, tha se Kosova do siguri të përjetshme. “Ne duam siguri të përjetshme, me Kosovën në NATO. Kosova do të hyjë në NATO. Kur je në NATO, bëhesh edhe anëtar i OKB-së”, tha ai.
Haradinaj nga Malisheva premtoi rritje pagash e rritje pensionesh.
“Po, pensionet. Po, pagat. Po, kategoritë e lirisë, një herë e përgjithmonë do të dalin në dritë. Po, do të zhvillohemi ekonomikisht, do të ketë investime. Shëndetësinë e arsimin do ta bëjmë si duhet, ju siguroj për këtë. Polici e ushtari nuk do të shohin sa i kanë të tjerët rrogat, por të gjithë përreth do t’i marrin lakmi për pagat e tyre. Po, njëjtë edhe mjekut, mësuesit e të tjerëve”, tha ai.
Ndërkaq, Fatmir Limaj kryetar i Nismës, pjesë e këtij koalicioni tha se Malisheva është bashkuar në projektin e madh, projektin e Kosovës fituese. Ai tha se, Malisheva po kthehet fuqishëm në parlament.
“Ne po vijmë. Kosova fituese po vjen, për ta kthyer Malishevën, ashtu siç i ka hije. Sa herë Llapusha është rreshtuar në shërbim të vendit, Kosova ka fituar, shqiptarët kanë fituar. Votoni numrin 137 votoni koalicionin fitues”, tha ai.
Ndërkaq, Nuredin Lushtaku nga Lista Ideal, të bashkuar rreth koalicionit “Për Kosovën Fituese”, u tha simpatizantëve se në garën zgjedhore të 9 shkurtit ia vlen t’i bashkohen atyre, sepse, tha ai, ka njerëz me vlera.
Ndërkaq, në këtë ngjarje, Ramush Haradinaj ndau dekoratë për Fatmir Limajn me motivacionin “Për kontribut të shquar në çështjen kombëtare”.