Hamza takon veteranët e UÇK-së, premton rritje pensionesh për ta

Aktuale

Hamza takon veteranët e UÇK-së, premton rritje pensionesh për ta

Më: 26 janar 2025 Në ora: 18:28
Bedri Hamza

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në ditën e gjashtëmbëdhjetë të fushatës ka takuar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në atë që ai e quajti si takimin më të veçantë të jetës së tij. Hamza u premtoi ish-ushtarëve të UÇK-së se përkrahja e kujdesi ndaj tyre do të rritet me të në krye të qeverisë.

 “Përkrahja për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së do të rritet për 50 për qind, në muajt e parë të mandatit të qeverisë të udhëhequr nga unë dhe PDK-ja. Familjarët e dëshmorëve nuk do të detyrohen të zgjedhin mes pensionit të dëshmorit dhe atij të moshës, por do t’i marrin të dyja, sepse i meritojnë. Pensionin e moshës e garanton ligji, e pensionin e dëshmorëve sepse kanë dhënë gjënë më të çmueshme, fëmijët e tyre”, tha Hamza.

Tutje u tha atyre se, veteranët më nuk do të kenë kufizime, por do të kenë mundësi të marrin të ardhura mujore nga shteti.

“Dhe nuk përfundon me kaq. Do të rrisim të ardhurat për çdo ushtar të Kosovës, për çdo polic, që shumica prej tyre janë bashkëluftëtarët tuaj, janë pasardhësit e idealeve tuaja. Pagat do të rriten 50 për qind për 84 mijë të punësuar në sektorin publik, dhe 70 për qind do të rriten pensionet për prindërit tuaj”, u tha ish- ushtarëve të UÇK-së ai.

Kur foli për prioritetet, Hamza listoi arsimin e shëndetësinë, si bazë të shtetit.

“Do t’i ndajmë 25 milion euro bursa për vajzat dhe djemtë tuaj që të marrin dije në botë, e ta sjellin në Kosovë. Në spitale, do të ketë ilaçe e trajtim për çdo qytetarë, dhe nuk do të prisni në radhë”.

Ai kërkoi votën ish- luftëtarëve të UÇK-së, për siç tha, një jetë më të mirë e një Kosovë më të fuqishme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat